Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Bashkimi Europian nuk ka sot problemin e plotësimit të kushteve apo mosplotësimit të kushteve, BE ka debat të brendshëm të imponuar nga dinamika të brendshme dhe të lidhur me një periudhë krize që ka marrë të përpjetën qysh me shpërthimin e lumit të refugjatëve”.
Në fjalën e tij në Kuvend gjatë diskutimit të projektrezolutës “Për mbështetjen e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, Kryeministri Rama theksoi se “Shqipëria sot në raport me kur mori statusin e kandidatit është ku e ku në raport me kriteret dhe me kërkesat e vendosura. Dëgjova një këtu që tha kishim 3 kushte na u bënë 9 kushte. Kishim tre kushte dhe ai Këshilli Europian para një viti tha plotësoni këto të treja që të hapim zyrtarisht negociatat. Ne këto të treja i kemi plotësuar tani, shtoi edhe të tjera sipas jush”, – tha Rama.
Duke bërë një krahasim, Rama tha se “nëse shkon për një krushqi dhe të thonë kemi këto tre kushte, ti shkon me tre kushte të plotësuara dhe ata thonë kemi 9 kushte të tjera, atëherë kjo do të thotë se ata që ti do të bësh krushqi nuk janë gati”.
Kryeministri Rama u shpreh se “në raport me kë është gati Shqipëria, në raport me fqinjët. Maqedonia e Veriut, e cila sot me plot të drejtë shikohet me një sy më pak kritik. E dini sa vjet ka që pret të hapen negociatave që sipas kritereve dhe sipas kërkesave të bëra nga vetë BE do ti kishte hapur shumë e shumë vite më parë. Por shikohet sot me këtë sy për shkak të një marrëveshje të madhe dhe zgjidhjes së një konflikti që ka çliruar një ngërç të madh”.
“Por këtu do të jemi, do të shikoni se Maqedonia e Veriut jo vetëm ajo, por për Serbinë dhe Malin e Zi do të fillojë një proces kërkesash dhe ekzigjencash që Shqipëria sot e ka nisur që është procesi i një reforme në drejtësi që kërkon pastrimin e sistemit nga prokurore e gjyqtarë të korruptuar, nuk e ka bërë asnjë prej tyre”, – nënvizoi Rama.
Më tej , Rama, tha se “si ma shpjegoni ju që BE i thotë Kosovës që unë të liberalizoj vizat me ty ti duhet të bësh demarkacionin e kufirit Malin e Zi dhe ndërkohë hap kapituj negociatash me Serbinë që nuk e njeh fare Kosovën dhe jo më të bëjë demarkacionin e kufirit. Si e shpjegoni ju që pasi Kosova e bën, BE nuk liberalizon vizat. E dini se sa njerëzve u ka dhënë BE të drejtën të hyjnë në BE pa vizë që në 2014, mbi 100 milionë njerëzve dhe e dini nga, nga vende ku e ku më larg zemrës së Europës se Kosova.Çfarë është kjo korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë”.
“Dëgjoj këtu që Gjermania ka dhënë kushte, pse i ka vënë kushtet, ajo i ka dhënë për politikën e vet të brendshme dhe në funksion të politikës së vet të brendshme edhe pse në grupin më të madh parlamentar në Gjermani bëhet një debat deri në momentin e fundit sikur çfarë po i japim Shqipërisë dhe ka vota pro dhe ka vota kundër me gjithë kushtet. Për politikë të brendshme, natyrisht nga ana tjetër Gjermania ka thënë po vetëm për një arsye të cilën e ka shprehur dje reporteri i Bundestagut se kancelarja ka vënë veton se nuk ka ndarje të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe do të jetë ‘PO’ për Shqipërinë”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “9 kushte nuk janë 9 janë 999 dhe këtë bëni mirë ta mësoni ju që nuk e dini dhe bëni mirë t’ia thoni gjithë shqiptarëve. Ne në procesin e integrimit duam dhe duhet të ndërtojmë Shqipërinë europiane këtu dhe ato kushte janë të gjitha të lidhura me punë të cilat si u thanë si nuk u thanë do të bëhen, nuk diskutohet”./atsh