Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se masa e qeverisë për të detyruar ndërtuesit të marrin policën e sigurimit do të mirëpritet nga të gjithë pasi vetëm kështu mund të përballohen fatkeqësi që sipas tij nuk mund të përkufizohen vetëm me tërmetet, pasi edhe përmbytjet po bëhen mjaft të shpeshta dhe shteti nuk mund të marrë gjithmonë përsipër koston e dëmshpërblimeve. I pyetur gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar ditën e mërkurë menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, ku u morën edhe një sërë vendimesh të rëndësishme në drejtim të përballimit të fatkeqësive të tilla natyrore, lidhur me faktin se një masë e tillë mund të rrisë çmimet e apartamenteve nga ana e ndërtuesve, Kryeministri tha jeta është gjithmonë e para dhe së për të nuk ka çmim.
“Së pari, çmimi i jetës është i pakrahasueshëm me asnjë çmim tjetër. Së dyti shpresoj që ata që ndjenë dhe e panë atë që të gjithë ndjenë dhe panë të mos harrojnë, sepse dhëntë Zoti mos e kemi një të dytë në kohën që na ka mbetur në tokë, ama është shumë e rëndësishme që të garantohet plotësisht që ajo që blen është ajo që paguan dhe është ajo që të takon. Kështu që, kjo ka një efekt të dyfishtë në raport me blerësin dhe të shumëfishtë në raport me komunitetin, shoqërinë dhe patjetër me pronën, sepse një ndërtues që shkel lejen, thashë, të paktën me këtë test, që nuk ishte një test i lehtë, edhe godinat me shkelje nuk kanë shfaqur shenja pasojash, sepse me sa duket janë ndërtuar me themele shumë të forta me idenë që të shtojmë ujë e të shtojmë miell gjatë kohës. Pra të fokusohemi te nevoja që kemi dhe të mos harrojmë që godinat me shkelje cenojnë edhe pronën e të tjerëve rreth e rrotull, cënojnë komunitetin, ambientin, etj.. Kështu që, nuk besoj se kjo masë nuk do përshëndetet nga kushdo që ka pasoja tërmetesh artificiale në sferën ku strehohet dhe nuk është se e shpikëm ne. Është një masë që përdoret në të gjithë botën,” u shpreh Kryeministri Rama.
Sipas tij, futja e kompanive të sigurimit besoj është e domosdoshme. “Është një marrëdhënie e mbyllur, jo e hapur që shkojnë njerëzit blejnë apartamente dhe pastaj ngelen me gisht në gojë, sepse nuk e kanë pronën e tyre, edhe pse jetojnë aty, pra kanë një strehë dhe s’kanë një pronë, as nuk e shesin dot, as nuk e vendosin dot kolateral, sepse kur shkojnë në hipotekë është diçka që nuk mund të regjistrohet. Ky është një mashtrim që duhet të marrë fund. Pastaj ankohen te shteti ndërkohë që është marrëdhënie palësh dhe ajo duhet garantuar dhe atë marrëdhënie palësh nuk mund ta garantojë dot askush por e garanton vetëm ligji dhe sistemi i mbrojtjes që krijohet me ligj. Kështu që, futja e kompanive të sigurimit besoj është e domosdoshme, aq më tepër që është dhënë edhe informacioni mbi dëmshpërblimin e menjëhershëm nga kompani sigurimi të një numri jo të vogël familjesh. Këto familje, që nuk më rezulton se ishin familje të pasurish, kanë pasur urtësinë që të sigurojnë banesat, apo apartamentet e tyre dhe sot që flasim nuk janë në pritje të planeve tona por kanë marrë menjëherë ndihmë nga kompani sigurimi. Për më tepër, s’është çështje thjesht tërmeti, por kemi përmbytjet që janë për 1001 arsye të shpeshtuara së fundmi. E patë dhe e shikoni vazhdimisht çfarë ndodhi vetëm para pak ditësh jo shumë larg Shqipërisë. Këto duhet të përfshihen të gjitha në një sistem sigurimesh sic e ka e gjithë bota normale. Kush dëmtohet, së paku është i siguruar që do marrë mbrapsht atë që ka humbur,” deklaroi kreu i qeverisë. /atsh