Loading...

Fuqizimi i grave, Felaj: Injoranca kërcënon sot më së shumti

Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj deklaroi se ajo që i kërcënon më shumë sot gratë dhe vajzat është injoranca.

E pranishme në aktivitetin e zhvilluar sot nga Instituti për Gratë në Politikën e Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare, Felaj u shpreh se, “siguria është një nocion shumë i gjerë, shumë i rëndësishëm. Projekti i këtij instituti në vetvete ka lidhje me fuqizimin e grave dhe vajzave dhe njëkohësisht me zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të grave dhe vajzave si kontribuese aktive në fushën e sigurisë”.

“Nëse do më pyesni se çfarë i kërcënon sot më shumë gratë dhe vajzat përgjigja do ishte injoranca. Kjo është arsyeja pse mendoj se të këmbëngulësh në arsimimin gjithnjë e më të plotë të gjithë shoqërisë tonë, sigurisht edhe të gjithë vajzave dhe grave”, tha Felaj.

“Është shumë e rëndësishme po ashtu edhe të bësh politika që rrisin aksesin e vajzave dhe grave në çështjet e dijes”, u shpreh ajo.

“Ta përdorësh ligjin në funksion të këtij qëllimi dhe ne si ligjvënës na takon ta bëjmë këtë. Kjo padyshim që ka një vlerë të padiskutueshme”, shtoi ajo.

Felaj theksoi gjithashtu se, “ekstremizmi i dhunshëm është një fenomen që kërcënon gratë dhe vajzat dhe duhet luftuar me çdo kusht”.

“Aksesi i grave dhe vajzave në jetën publike është i rritur edhe në ato sektorë apo fusha ku dikur janë parë si enkas për gjininë tjetër, edhe aty shihet rritja e prezencës së grave. Ky është një shembull i mirë. Prezenca jonë e bën shoqërinë më tolerante”, tha Felaj.

“Ne flasim për gratë dhe vajzat në politikë. Natyrisht sot janë kontributore shumë më shumë se një dekadë më parë. Ka shumë gra deputete, ministre, ka shumë gra këshilltare bashkiake”, u shpreh Felaj. /atsh