Loading...

Opinioni i Komisionit të Venecias, Meta: “Zero” shqetësim, kam bërë mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se “ka bërë zero shkelje të Kushtetutës dhe ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës dhe të pluralizmit politik”.

Në një intervistë televizive, Meta iu përgjigj pyetjes mbi opinionin e Komisionit të Venecias, që u publikua dje në medie.

Ai tha se “nuk ka asnjë shqetësim, shqetësimi është ‘zero’”. “Kur stafi ynë do të qartësohet se cili është drafti, i cilës datë është, apo do të vijë siç qarkulloi me data të ndryshme, përsëri përgjigja e institucionit të Presidentit do të jetë publike dhe për këtë draft dhe do të jetë në dispozicion të qytetarëve, të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe në dispozicion të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias”, tha ai.

Meta tha se “jemi të qartë për këtë çështje dhe lidhur me idenë e një drafti që ka rrjedhur është gjëja më e parëndësishme”.

“Kam zero koment për këtë çështje sepse e kam shteruar me kohë edhe si president, por edhe si institucion mbrojtjen e shkëlqyer dhe parimore të Kushtetutës, pluralizmit politik, të drejtës së zgjedhjes sipas vetë Këshillit të Europës, Konventës Europiane të të drejtave të Njeriut, sipas detyrimeve të pashmangshme që burojnë nga marrëveshja e Shqipërisë me BE për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, edhe sipas vetë vendimit të qartë që ka marrë Gjykata e Strasburgut për të sqaruar se zgjedhje nuk do të thotë procedurë dhe proces mekanik votimi, pra pa alternativë, por do të thotë mundësi për të ndikuar, për të zgjedhur, zgjedhje në kuptimin substancial”, tha Meta.

I pyetur nëse i trembet Venecias, Meta tha: “Si mund t’i trembet Venecias, Luani i Artë i Venecias të paktën për këtë vit. Të jeni të sigurt se Luani i Artë i Venecias për këtë vit do të jetë siç e ka mbajtur premtimin deri më 24 korrik”.

Apeli im, tha Meta, “është që të gjithë të përqendrohen në zgjidhjen e krizës dhe të marrin shembull nga Presidenti në respektimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj të cilat janë të shenjta për mua”. /atsh