Në kuadër të aktiviteteve të organizuara në Ditët Europianë të Trashëgimisë, nxënës të shkollave të qytetit kanë nisur vizitat në Muzeun Arkeologjik dhe Etnografik të Vlorës, pjesë e Muzeut Historik të rrethit.
Përmes shpjegimeve të cicerones Arbela Kisi dhe artefakteve nxënësit u njohën me pjesë të historisë së antikitetit e mesjetës, gjetjeve arkeologjike të gjetura dhe grumbulluara pas gërmimeve dhe ekspeditave në vite.
Nxënësit vizituan edhe Muzeun Etnografik të qytetit, një muze me pasuri të jashtëzakonshme trashëgimie, prej kohës së mesjetës.
Shqipëria ka nisur të kremtojë Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore prej vitit 1998.Nga 24 deri 29 Shtator janë ditë të hapura që shoqëria duhet të kujtojë e tu kthehet vlerave të trashëgimisë kulturore që vijnë si trashëgimi nga shekujt e nga brezat. Trashëgimi që sot gjendet në muzeume, por edhe në monumente kulturore, site arkeologjike, objekte kulti, artizanale, krijimtari shpirtërore, zakone, doke, rite etj.
Ndërsa 29 Shtatori është Dita Kombëtare e Trashëgimisë tonë Kulturore. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë ka detajuar prej kohësh një program të larmishëm aktivitetesh, të cilat nisin me vizita të mjaft shkollave të qytetit në Muzeun Etnografik dhe Historik të qytetit, të cilat do të kulmojnë me një aktivitet të madh kulturor në datën 27 shtator 2019, në sheshin përpara stadiumit “Flamurtari”.
Në këtë ditë ,e cila do të organizohet në bashkëpunim edhe me Qendrën për Kulturë e Art të bashkisë Vlorë do të realizohet një Panair i madh me artizanët dhe mjeshtrat e Vlorës si dhe këngë e valle tradicionale nga Kryevepra jonë “iso-Polifoni”./atsh