Kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi, i dorëzoi sot “Çelësin e qytetit”, koordinatorit të përhershëm të OKB-së, në Shqipëri Brajan J. Williams dhe ambasadorit italian në Shqipëri, Alberto Cutillo.
“Nuk është më nevoja t’ju ftojmë në qytetin muze, ju e keni çelësin e tij”, nënvizoi në fjalën e tij Golemi. Një simbol të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, kishte zgjedhur edhe Brajan, për qytetarin e parë të Gjirokastrës.
Në takim Golemi vlerësoi mbështetjen e agjencive të OKB-së për kontributin e tyre në qytetin pasuri botërore të UNESCO-s.
Brajan u shpreh se, “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm u drejtohen të gjithëve. Sipas tij, çdo anëtar i komunitetit duhet të jetë i përfshirë në to për të lidhur qëllimet globale me komunitetet lokale”.
Ambasadori italian në Shqipëri Alberto Cutillo hodhi idenë “për ta kremtuar vitin 2020 si viti i Gjirokastrës”. Me qëllim promovimin e vlerave të qytetit muze, sipas tij, me Institutin Italian të Kulturës do të zhvillohen disa aktivitete që kanë në fokus turizmin. Ambasadori përmendi si shumë të rëndësishëm edhe misionin arkeologjik në luginën e Drinos.
Me motivacionin “Për kontribut të çmuar në mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër për mirëpritjen, trajtimin e refugjateve dhe ngritjen e urave të harmonisë njerëzore në komunitetin vendor”, Golemi i dorëzoi përfaqësuesit të UNHCR në Shqipëri Pablo Zapata certifikatën e mirënjohjes. Takimi u pasua nga një sërë veprimtarish të tjera në qytet me rastin e javës së OZhQ-ve. UN Women Shqipëri, në bashkëpunim me INSTAT, bëri bashkë anëtaret gra të këshillit bashkiak dhe aktorë të tjerë duke u fokusuar te barazia gjinore dhe fuqizimi i grave./atsh