“Ditët e Trashëgimisë Evropiane”, një iniciativë e përbashkët e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, janë ngjarjet kulturore më të festuara gjerësisht nga vendet e Evropës. Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane dhe 29 Shtatorit – Ditës Kombëtare të Trashëgimisë organizuan aktivitetin me titull “Art dhe argëtim”. Gjatë këtij aktiviteti u zhvillua një sfilatë me veshje popullore të trevave të Shqipërisë, si të Mirditës, Tiranës, Malësisë së Madhe etj. Po ashtu fëmijët e Qendrës Kombëtare të Kulturës interpretuan këngë e valle të shumta tradicionale shqiptare.
Nuk mund të mungonte një nga aktivitetet më të sukseshme të Muzeut Historik Kombëtar, ai me titull “Arkeologu i Vogël”. Fëmijët morrën pjesë në zhvillimin e këtij projekti për të mësuar si të zbulojnë objektet e lashtësisë. Fëmijët e QKKF-së vijuan me gërmimet dhe në përfundim, plotësuan fjalëkryqin me fjalë nga arkeologjia e vizatuan objektet e zbuluara.
Aktiviteti i sotëm u pasurua me ekspozitën me vizatime nga fëmijët e talentuar të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, ku paraqiteshin objekte dhe pamje të ndryshme, pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. /atsh