Muzeu i Fotografisë Marubi çeli siparin e aktiviteteve në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë.
“Ditët Europiane të Trashëgimisë” në Shkodër nisën në një formë të veçantë në muzeun e fotografisë “Marubi”. Protagonistë ishin fëmijët që u bënë pjesë e punëtorisë “Mos u nxeh”, një nga lojërat e njohura prej të gjithëve.
Mbi imazhet që identifikojnë trashëgiminë kulturore të Shkodrës , fëmijët gjurmuan mes ndërtesave, ngjarjeve, personazheve, gjëagjëzave, poezive e këngëve në një rrugëtim plot të papritura e entuziazëm në kujtesën historike të qytetit.
“Art dhe Zbavitje” është tematika e këtij viti që kërkon të na rikthejë në traditat më të hershme të argëtimit që kanë formësuar identitetin tonë europian.
Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore, një iniciativë e Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian, festohen nga miliona qytetarë europianë me një kalendar eventesh në përputhje me tematikën e përzgjedhur çdo vit. /atsh