Loading...

Cakaj nga Nju-Jorku: Takime në shërbim të çeljes së negociatave për anëtarësim në BE

Nga Nju – Jorku ku po merr pjesë në punimet e sesionit të 74 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj lajmëron se fokusi i këtij sesioni punimesh do të jetë bashkëpunimi shumëpalësh në funksion të zbatimit të objektivave të platformës për zhvillim të qëndrueshëm 2030.

“Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet angazhimit të përbashkët kundër varfërisë së skajshme dhe ekstremizmit të dhunshëm, përpjekjeve për arsim më cilësor e zhvillim ekonomik dhe bashkërendimit të qëndrimeve për përballjen me ndryshimet klimatike”, – tha Cakaj.

Në takimet e shumta në Nju–Jork, fokusi do të jetë tek hapja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE në tetor ndërkohë që do të punohet edhe për njohjen e Republikës së Kosovës nga shtetet të cilat akoma nuk e kanë bërë këtë.

“Marrë parasysh ambicien e Shqipërisë për të siguruar vendin e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023, një pjesë e konsiderueshme e përpjekjeve të delegacionit shqiptar do të drejtohet pikërisht kah sigurimit të mbështetjeve politike të vendeve të ndryshme pjesëmarrëse për kandidaturën tonë. Shqipëria jo vetëm ka dëshmuar besueshmërinë e lartë në rrafshin shumëpalësh në përgjithësi por ofron edhe një program pothuajse të pazëvendësueshëm për vendin e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në veçanti”, – përfundoi Cakaj./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com