Çuditërisht ishte Lionel Mesi ai që fitoi çmimin për “Lojtarin më të mirë të vitit” në Best Fifa Football Awards 2019, në ceremoninë që u zhvillua mbrëmjen e së hënës në teatrin “La Scala” të Milanos.
“Dua të falënderoj cilindo që më votoi për këtë çmim, edhe pse për mua çmimet individuale janë çështje dytësore. Është moment unik për mua, që mund ta festoj së bashku me familjen dhe fëmijët e mi”, – tha i surprizuar ylli i “Barcelonës” dhe i kombëtares Albiçeleste, Lionel Mesi gjatë marrjes së trofeut.
Mesi konkurroi për këtë çmim me Virxhil van Dijk të “Liverpulit”, që para votimit ishte pretendenti kryesor për fitimin e këtij çmimi meqë ishte fitues i çmimit si lojtari më mirë i UEFA-s 2018-2019, dhe me Kristiano Ronaldon e “Juventusit”, i cili nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni.
Trajneri i “Liverpulit”, Jurgen Klop fitoi çmimin e Trajnerit më të Mirë të FIFA-s për meshkuj, i cili e ngjiti “Liverpulin” në fronin e Europës për klube. Përveç Klopit, në garë për këtë çmim ishin edhe Pep Guardiola (Manchester City) dhe Mauricio Pochettino (Tottenham)./atsh