Loading...

Situata pas tërmetit, Braçe: Shteti në shërbim me të gjithë fuqinë e vet, institucionet në gatishmëri

“Shteti në nivel qendror dhe vendor është funksional, dhe shërben me të gjithë fuqinë e tij”, – deklaroi sot zëvendëskryeministri Erjon Braçe

Zëvendëskryeministri Erjon Braçe ashtu si kolegët e tij në parlament ka zgjedhur që punën ta bëjë në terren me njerëzit e prekur nga tërmeti i dy ditëve më parë.

“Ende pa u bërë 48 orë nga ngjarja e parë sizmike, tërmeti i së shtunës, dua t’ju informoj se e gjithë infrastruktura rrugore është e aksesueshme, madje e sigurt, përfshirë rrugët kryesore, rrugët dytësore, rrugët rurale, madje në zonat më të larta, urat dhe të tjera vepra arti të cilat po përdoren për shërbimet e përditshme, të zakonshme për njerëzit, institucionet, sipërmarrjen dhe posaçërisht për njerëzit në nevojë nga ngjarja sizmike”, – tha ai.

Më tej Braçe tha se e gjithë infrastruktura e ujësjellës kanalizimeve është e aksesueshme dhe e sigurt, përfshirë vendburimet, stacionet e pompimit, impiantet e përpunimit, rrjetin e shpërndarjes, impiantin e largimit të ujërave të ndotura, në zonat urbane dhe zonat rurale, madje më të largëta, infrastrukturë e cila po u shërben me ujë çdo qytetari dhe sipërmarrjeje si zakonisht.

“E gjithë infrastruktura energjetike është e aksesueshme dhe e sigurt, përfshi veprat prodhuese, nënstacione, linjat e prodhimit, kabinat elektrike në zonat urbane dhe ato më të largëta në zona rurale, infrastrukturë që po shërbehet maksimalisht me energji elektrike çdo qytetarë e sipërmarrës, madje çdo nëpunës në administrimin e tyre është në punë prej 48 orësh pa ndërprerje për çdo avari, defekt apo akt kriminal siç ka ndodhur gjatë 72 orëve të fundit në një rajon të vendit”, – tha ai.

Në vijim, Braçe shtoi se “e gjithë infrastruktura shëndetësore është e aksesueshme dhe e garantuar, përfshirë urgjencën, qendrat spitalore, poliklinikat, ambulancat, shërbimin e farmacisë, si dhe grupe të lëvizshme mjekësh, infermierësh në zonat urbane, rurale për çdo qytetar vendas dhe turist të huaj që vazhdon të pushojë në Shqipëri që nga dita e parë e tërmetit”.

“E gjithë infrastruktura arsimore është e aksesueshme dhe pas verifikimit një për një në çdo çerdhe, në çdo kopsht, në çdo shkollë nëntëvjeçare dhe të mesme, e sigurt edhe për arsye se ne kemi vendosur se çdo objekt i pasigurt të jetë i mbyllur duke garantuar në zonat urnave dhe rurale transportin pa pagesë të çdo fëmije që duhet të ndjekë ditën e tij të shkollës”, – tha ai.

Ai shtoi se e gjithë infrastruktura sociale, përfshirë qendrat e pritjes që ne kemi vizituar gjatë këtyre ditëve është e gjitha e aksesueshme dhe e garantuar për çdo familje dhe çdo individ në nevojë apo të prekur nga ngjarja sizmike e dy ditëve më parë.

“E gjithë infrastruktura e Rendit dhe e Sigurisë Publike e Sigurisë Kombëtare, duke përfshirë ushtrinë dhe Policinë e Shtetit është në gatishmëri numër 1, jo vetëm për të përballuar detyrat e përditshme për sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike, sigurinë e jetës së çdo qytetari, por edhe detyra të tjera që kanë të bëjnë me ngjarjen sizmike dhe garancitë e shtuara për qytetarët në shtëpitë e tyre, apo në çdo ambient tjetër ku ata konsumojë ditën e tyre”, – tha Braçe.

Gjithashtu Braçe theksoi se shteti shërben me të gjithë fuqinë e tij.

“Pra, shteti në nivel qendror dhe në nivel vendor është funksional dhe po shërben me të gjithë fuqinë e tij, në bashkëpunim me qytetarë, sipërmarrës, qytetarë të angazhuar dhe përgjegjës për këtë situatë. Nuk ka asnjë element të kaosit, kakofonisë, neglizhencës apo moskryerje të detyrës, janë të gjithë në punë dhe të qartë për detyrat që kanë dhe duhet të përmbushin, nga zyrtari i parë i kësaj qeverie, deri te nëpunësi më i fundit i shërbimeve publike, janë në gatishmëri dhe po shërbejnë me fuqi të plotë”, – tha ai.

Në vijim Braçe, tha se kryeministri është në krye të qeverisë dhe të punëve, madje shumë më tepër në punë se çdo sehirxhi apo palaço politik, që nis ditën në paçeri, e vijon me menaxhimin e interesave të kompanive korruptive të tij, pastaj në një restorant peshku dhe pastaj e mbyll ditën në pijetore.

“Kryeministri po udhëheq gjithë këtë proces të menaxhimit të kësaj situate dhe natyrisht edhe procesin tjetër, atë që ka të bëjë me reflektimin tonë si qeveri, që ka të bëjë me gjithë pasojat e kësaj ngjarje sizmike”, – tha ai.

Braçe vlerësoi punën e Ministres së Mbrojtjes.

“Ministrja e Mbrojtjes që pavarësisht kushteve shëndetësore, ka 48 orë në krye të menaxhimit të infrastrukturës qendrore dhe vendore të Emergjencave Civile dhe çdo strukturë tjetër të mobilizuar që në minutat e para të tërmetit në funksion të përballimit të kësaj emergjence, e natyrisht në funksion të menaxhimit të kësaj emergjence, atje në qelizë, te qytetarët”.

Braçe tha se Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës po drejton të gjithë strukturën e krijuar dhe funksionale të verifikimit të çdo objekti privat apo publik, banimi apo shërbimesh nga pikëpamja inxhinierike dhe e sigurisë në respekt të rregullave ligjore në fuqi që garantojnë sigurinë e këtyre objekteve. Do të drejtojë dhe koordinojë të gjithë punën për riparimin e çdo dëmi të shkaktuar dhe rindërtimin atje ku grupet e ekspertëve do vendosin të shpallin të pabanueshme çdo shtëpi, çdo pallat jo funksional, çdo objekt të shërbimeve publike, apo edhe private. Në procesin afatmesëm ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës do të drejtojë të gjithë punën për një studim të plotë të tipologjisë së dëmit të shkaktuar nga tërmeti, referuar kohës së ndërtimit të atij objekti, banesë, materialeve të përdorura për ndërtim, zonës, cilësisë së truallit a që është ndërtuar në zonë rurale apo urbane me qëllimin e qartë të rishikimin e kodeve, por dhe një sistemi të ri sigurie në funksion të rritjes së sigurisë dhe garantimit çdo objekti të çdo familje që banon në të.

Braçe tha se po përgatisim aktet e domosdoshme për të lehtësojmë procesin e lejeve të ndërtimit për ata që duan të rindërtojnë shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti.

“Padyshim që në bashkëpunim me Ministrinë e Energjetikës dhe Infrastrukturës po përgatisim aktet e domosdoshme që brenda 48 orëve që vijnë të lehtësojmë në maksimumi procesin e lejeve të ndërtimit për objektet e dëmtuara nga tërmeti dhe çlirimin nga çdo tarifë apo taksë që lidhet drejtpërdrejt me procesin e rindërtimit të banesave, veçanërisht për ato familje që kanë shprehur vullnetin për t’i rindërtuar vetë banesat e tyre”, – tha ai.

“Ministri i Brendshëm do vazhdojë të jetë në krye të punës për zbatimin e rendit kushtetues dhe natyrisht rendit publik dhe sigurisë së jetës së çdo qytetari. Mjafton t’ju them që Policia e Shtetit ka 48 orë që është në gatishmëri numër 1, jo vetëm për të përmbushur detyrimet kushtetuese por për t’ju përgjigjur çdo ngjarje në çdo cep të territorit, përfshirë dhe sigurinë e jetës nga ngjarja sizmike”, – deklaroi sot zëvendëskryeministri Erjon Braçe.

Në vijim, Braçe tha se prefektët, këshillat e qarqeve dhe drejtuesit e tyre, kryetarët e bashkive janë në punë dhe do e çojnë deri në fund me përgjegjshmëri punë që kanë marrë përsipër, në çdo cep të territorit përballimin e emergjencës, evidentimin shtëpi më shtëpi të dëmit dhe të ndjekjes deri në fund të procesit të riparimit dhe të rindërtimit të çdo objekti. Ministri i Shëndetësisë, i Arsimit, Bujqësisë, Mjedisit, i Kulturës e të tjerë zyrtarë të qeverisë do të mbulojnë në mënyrë të qartë sipas fushës së tyre respektive shërbimet e domosdoshme të sektorëve në kushtet e normalitetit dhe pa të voglin dyshim dhe në zonat e prekura nga tërmeti”.

Po ashtu Braçe tha se “IGJEUM – Instituti i Gjeoshkencave, do të vazhdojë të jetë zëri zyrtar i shtetit shqiptar për çdo ngjarje sizmike e fenomen natyror. Është profesional, autoritar, shkencor, i përgjegjshëm, jo vetëm në monitorimin e situatës, por mbi të gjitha për çdo fenomen tjetër natyror”.

“Të tillë jemi, siç ju dëshmova: të qartë, të përgjegjshëm, në përputhje me ligjin, në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit atje ku ata janë. Të gjitha atyre që u ka bërë përshtypje prezenca jonë në territor, do të doja t’i thoja se secili nga ministrat mbulon një pjesë të territorit të prekur nga tërmeti, të njëjtën gjë kanë edhe deputetë e Kuvendit”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com