Në një njoftim të shpërndarë për media, Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku kërkon nga prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë “vlerësimin e menjëhershëm ligjor në lidhje me dyshime për përhapjen në publik të informatave të rreme që ngjallin panik dhe pasiguri tek qytetarët”.
Kjo kërkesë e Prokurores së Përgjithshme lidhet me lajmin e shpërndarë dje nga disa portale online për një tjetër tërmet rreth orës 23:30, lajm i cili shkaktoi daljen e mijëra qytetarëve në rrugë, disa prej të cilëve morën edhe rrugën për në Elbasan.
Gjithashtu, Marku në mbështetje të ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, kërkon informacion në lidhje me mënyrën e trajtimit të materialit, pa cenuar sekretin hetimor.
Theksojmë se sipas sizmiologëve, parashikimi i tërmeteve nuk është i mundur dhe se lëkundjet do të vijojnë edhe për disa ditë, por do të jenë të një intensiteti më të ulët. /atsh