Dy blerës austriakë morën një dërgesë me 24 800 pilula ekstazi së bashku me dy fustane të porositur online, raportoi sot departamenti i policisë së qytetit Linz.
Hetuesit vlerësojnë se droga ka vlerë rreth 500 000 euro.
Çiftit i erdhën dy pako.
Në njërën nga pakot ndodheshin veshjet e porositura online në Holandë, ndërsa tjetra ishte shumë e rëndë.
Në pakon e dytë gjetën qeska transparente të mbushura me material shumëngjyrësh për të cilat gruaja mendoi se ishin gurë dekorativë.
Hetuesit zbuluan se pakoja me drogë u dërgua gabimisht në Austri pasi ishte nisur për Skoci.
Sipas departamentit të policisë, policia skoceze ka identifikuar marrësin e synuar, ndërsa hetuesit holandezë po përpiqen të gjejnë dërguesin./atsh