Si pasojë e emergjencës civile të krijuar nga tërmeti i pasdites së djeshme, i cili tronditi vendin tonë e në mënyrë të veçantë Durrësin dhe Tiranën, Batalioni i Mbështetjes Rajonale në Komandën Mbështetëse është në gjendje gatishmërie dhe ka punuar përgjatë gjithë natës për strehimin në çadra të qytetarëve të mbetur jashtë, si pasojë e dëmtimit të banesave.
Deri tani janë ngritur 13 çadra në Tiranë dhe 2 çadra të mëdha në Durrës.
Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi deklaroi sot se situatat po menaxhohet me një infrastrukturë që të garantojë strehim për ata që banesat u janë bërë të pa banueshme.
Ai deklaron se institucionet janë në gatishmëri të plotë.
“Kemi reaguar para se të vinte informacioni që të maste amplitudat e tërmeteve, pasi ishte ndjesia njerëzore që ishte tërmet i lartë. Kemi vendosur qendrën e bashkuar operacionale dhe shërbimin për marrjen e informacionit për pasojat e tërmetit dhe pastaj me zhvillimet e mëtejshme”, tha Koçi.
Ai tha se “është normale që njerëzit të mos e kalojnë natën në banesat e tyre jo vetëm për frikë, por edhe siguri. Nëse ka dyshime për sigurinë e banesës është e këshillueshme që të mos kalohet nata aty. Strukturat më të lehta, duke filluar nga çadra janë më të sigurta”.
Batalioni i Mbështetjes Rajonale është në gatishmëri të plotë dhe vijon punën në mbështetje të komunitetit civil në ngritjen e çadrave të tjera, për strehimin e popullsisë në nevojë./atsh