Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri gjatë një deklarate për mediat, të shtunën në mesditë, nënvizoi se u përball i vetëm me drejtësinë e jo i fshehur nën sqetullën e politikës, siç kanë bërë paraardhësit e tij. Ai nënvizoi se do i shkojë deri në fund drejtësisë dhe të vërtetës së tij si qytetar.
“Pas dy vitesh hetime nga prokuroria e krimeve të rënda për akuza edhe më të rënda se vet emri i prokurorisë karroca e prishur e dyshimeve për mua ndaloj në stacionin e parë. Dy vjet hetime brenda prokurorisë, dy vjet gënjeshtra brenda dhe jashtë prokurorisë dhe unë për dy vite me radhë heshta përballë të gjithë akuzave”, tha Tahiri.
“Unë heshta përballë të gjitha gënjeshtrave për të respektuar drejtësinë, jo se nuk di të flas, por për të mos e çuar kurrë gjyqin përpara drejtësisë te gjyqi i mediave se unë kam besuar që ditën e parë se nuk duhet ishte një gjyq popullor, por një gjyq shembullor i drejtësisë”, nënvizoi Tahiri.
“E bëra këtë duke ditur sakrificën shumë të madhe të kujtdo që do donte të më besonte dhe për një minutë të vetme dhe duhet të sakrifikonte padyshim përballë llumit të madh të akuzave dhe gënjeshtrave që binin në kurrizin tim. Po ta shtosh këtu se sa gazetarë kanë shfrenuar fantazinë për mua me shpifje dhe akuza”, tha ish ministri Tahiri.
“Se sa analistë kanë nxjerr konkluzione të gënjeshtërta për mua, heshtja e ime bëhej gjithnjë e më e rëndë. Por unë heshta i bindur dhe e bëra vetëm në respekt të drejtësisë. Unë e kisha shumë kollaj të mbaja mandatin e deputetit. E lashë vullnetarisht”, tha ai.
“E kisha kollaj të qëndroja në Kuvend gjithë kohës dhe të shfrytëzoja politikën përballë akuzave që mu bënë, siç kanë bërë dhe ata para meje pa asnjë përjashtim. Janë akuzuar për vjedhje, vrasje dhe kanë mbajtur imunitetin e deputetit duke iu fshehur drejtësisë. Unë nuk e bëra këtë”, theksoi Tahiri.
“Unë bëra të kundërtën, lashë mandatin e deputetit, ndërpreva çdo aktivitet politik i bindur se çdo drejtësi i fshehur nën sqetullën e politikës vetëm drejtësi nuk do ishte. Dhe unë vijoj ende sot të besojë se është ende më mirë rreziku nga padrejtësia, se sa drejtësia që të bënë politika. Ku radha e servilëve e shushunjave shtohet e shtohet në kurriz të popullit. Unë u përballa si qytetarë i thjeshtë me të gjithë, me të drejtësinë e politikës dhe me ata ca që heshtën, a thua se nuk kisha jetuar kurrë, dhe me ata ca të tjerë që s’më ndanë nga fyti që nga dita ime e parë në politikë. Unë besoj se burrat dallohen nga cilësia e armiqve që kanë”, tha Tahiri.
“Unë këtë rrugë zgjodha që kur isha në politikë ditën e parë në opozitë, këtë rrugë kam zgjedhur, me këtë rrugë do edukoj fëmijët e mi vetëm për të vërtetën time, për asgjë tjetër. Që kur nisi ky proces mbajta në kurriz akuza nga monstruozet, nga më të çuditshmet. Mua më akuzuan për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal për trafik droge, më akuzuan se fitoja 5 milionë euro në muaj, se harxhoja vetëm për fushatë elektorale 20 milionë euro në muaj,. Fati im ishte që prokuroria italiane hetoi, gjykata italiane gjykoi dhe e panë qartë që Saimir Tahiri nuk ka asnjë lidhje me këto akuza”, tha Tahiri.
“Dhe karroca e prishur e këtyre akuzave ndaloi edhe në Shqipëri në një stacion. Se pas gjykatës italiane, edhe ajo shqiptare pa se nuk kam asnjë lidhje me akuzat për trafik droge, me grupin kriminal dhe çdo çmenduri tjetër që është thënë gjatë gjithë kësaj kohe, të gjitha gënjeshtra. Se nuk kam pasur siç tha Gjykata italiane dhe ajo shqiptare, asnjë kontakt, asnjë telefonatë, asnjë komunikim, asnjë lloj kontakti me këdo që është akuzuar në këto dy vite, bashkë me mua, se nuk kam pasur asnjë lidhje me asnjë aktivitet të paligjshëm, se policia gjatë kohës që unë kam qenë ministër ka bërë detyrën dhe i ka kallëzuar në prokurori edhe këta të cilët që deri para pak kohësh thonin se ishin bashkëpunëtorët e mi në trafikun e drogës”, shtoi Tahiri.
“Madje disa nga policët që u akuzuan si bashkëpunëtorët e mi nuk kanë qenë në detyrë as si policë të thjeshtë në Vlorë. Thonin se akuzoheshin se bënin trafik, as nuk kanë qenë në detyrë. Këto edhe shumë gënjeshtra të tjera. Nuk i thashë kurrë në publik deri ditën kur u mbrojta në gjykatë dhe këtë e bëra në respekt të drejtësisë”, vijoi ish ministri.
“Policia gjatë kohës që unë kam qenë ministër ka bërë dhe ka kallëzuar edhe këta që thonë se janë bashkëpunëtorët e mi. Dhe ata që akuzoheshin se bënin trafik as kanë qenë në detyrë në policinë e Vlorës. Këto e gënjeshtra të tjera nuk i thashë kurrë në publik, deri ditën e vendimit të gjykatës. Gënjeshtrat një ditë bien, siç bëri drejtësia italiane, sic ndodhi edhe këtu”, tha Tahiri.
“Ishte një gjysmë lajm i mirë për mua, gënjeshtrat morën një përgjigje, edhe pse as e plotë dhe as përfundimtare. Nuk është drejtësi e plotë, beteja për të vërtetën time ndaloi dje vetëm në stacionin e parë dhe ka plot rrugë përpara. Do më duhet shumë punë për të bindur edhe ata që nuk e kanë kuptuar sesa të pavërteta janë thënë deri tani”, vijoi ai.
“Gjykata tha se unë kam shpërdorurar detyrën. Me aq sa u lexua në sallë, vendimi kishte të bënte me faktin që kishin përmendur emrin tim disa kushërinj të mi. Dhe me faktin që nuk kam luftuar sa duhet kultivimin e kanabisit. Unë uroj të mos jenë këto argumentet, ndaj po pres ta lexoj, të shoh cilin ligj konkretisht kam shkelur duke shpërdoruar detyrën që mu caktua dhe besua. Në kulturën time një vendim gjykate, nuk komentohet, vetëm ankimohet, për më tepër që vendimi nuk është zbardhur dhe më takon ta ankimoj sa të zbardhe”, tha ish ministri Tahiri.
“Drejtësinë e kam pritur dhe ende nuk mendoj se është bërë sic mendoj se më takon. Jam i bindur që nuk e kam shpërdoruar kurrë detyrën që mu besua në asnjë sekondë, e kam bërë me shumë pasion bashkë me ekipin tim e shndërruam policinë nga një institucion të degraduar në institucion të mirëfilltë, luftuam krimin me rekorde të pamenduara ndonjëherë”, vijoi Tahiri.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me një rikthim të tij në politik, ish ministri Tahiri u shpreh se, momentalisht është i fokusuar te drejtësia. “Kurioziteti im nuk është fare ky sot, por t’i shkoj kësaj rruge në fund. Më vlen më shumë drejtësia sesa partia. Më keni trembur sa herë më keni pyetur a do bëhesh kurban kur do bëhesh kurban. Kurban nuk do të thotë të shkosh në burg”, tha Tahiri.
“Kurban do të thotë të mos jesh i lirë. Unë jam i bindur që ka në parlament, në qeveri njerëz që janë kurban dhe pse nuk e kanë parë një ditë derën e burgut. Se nuk janë të lirë të flasin po nuk i thanë çfarë t’i thonë. Kam njohur burra që janë të lirë në burg, të mendojnë të flasin. Ka të burgosur pa fund nga këta që janë të lirë, nga 1990 deri sot. Ata janë kurban. Unë jo. Dhe shuajeni kuriozitetin tuaj me të ardhmen time në politikë, unë kam dy vjet që hesht për drejtësinë. Mua më intereson drejtësia. Dhe po e përballoj i vetëm përballë të gjithëve. Pa parti, pa politikë, nuk më interesojnë, më intereson drejtësia.”, shtoi ai
Gjykata shpalli të pafajshëm Saimir Tahirin për akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, duke e shpallur fajtor vetëm për një akuzë të re të ngritur prej saj, për shpërdorim detyre. Tahiri u dënua për këtë vepër me 5 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar arrin në 3.4 vite burgim. Edhe këtë dënim Gjykata e konvertoi në shërbim prove 3 vite me kusht për të mos kryer vepër tjetër penale brenda kësaj periudhe. Sipas vendimit, Tahiri për 3 vite nuk duhet të kryejë funksione publike. Me këtë vendim, ish-ministri i Brendshëm nuk kryen asnjë ditë burg. /atsh