Loading...

Ndryshimet në Kodin Penal, Lleshaj: Mbrojnë jetën e punonjësve të Policisë gjatë detyrës

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke folur në Kuvend për projektligjin e kthyer nga presidenti Ilir Meta, për disa ndryshimet në ligjin për Kodin Penal, u shpreh se, ndryshimet e propozuara nga mazhoranca rrisin sigurinë e punonjësit të policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Lleshaj gjithashtu thekoi se ky pr/ligj i propozuar nga mazhoranca ua vështirëson qytetarëve marrjen e armëve, të cilat në vendin tonë, këto dekadat e fundit kanë shkaktuar shumë viktima. Ai nënvizoi se “këto ndryshime, kanë rëndësi për mbrojtjen e sigurinë e jetës së atyre punonjësve që i shërbejnë sigurisë sonë”

“Ne, nuk mund të lejojmë më që policët e Shqipërisë të vriten, të kanosen, të gjymtohen. Për këtë arsye ndryshimet e reja në Kodin Penal kanë parashikuar rishikim të masës së dënimit në drejtim të atyre personave që konsumojnë vepra penale në dëm të punonjësit shtetëror me theks të veçantë te punonjësit e Policisë së Shtetit”, tha Lleshaj.

“Kryesisht goditje për shkak të detyrës dhe kanosja për shkak të detyrës janë ato vepra që do ndëshkohen më rëndë dhe për të gjithë ata që do ta tentojnë në të ardhmen, që nga nesër, duhet të bëjnë llogaritje me masa të rënda dënimi. Nuk ka më gjobë për ato që vënë dorën mbi punonjësit e policisë, por burg nga 1 deri në 5 vite, duke iu referuar dy veprave penale, goditja apo kanosja për shkak të detyrës”, theksoi Ministri Lleshaj.

“Besojmë se me këto masa do u japim punonjësve të policisë mbrojtjen e nevojshme, atë mbrojtje që u duhet atyre punonjësve për të kryer me profesionalizëm, përkushtim e përgjegjshmëri detyrën e tyre për të rritur sigurinë tonë të përgjithshme”, tha ministri Lleshaj.

“Gjithashtu ndryshimet e reja në kodin penal parashikon ndërhyrje në nenet që flasin për armëmbajtjen pa leje. Pas vitit 1997 Shqipëria është mbushur me armë të cilat kanë rënë në duar te qytetarëve, në dorën e civilëve”, tha Lleshaj.

“Për shumë persona 97’-ta u duket largët, pasi një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë lindur pas atij viti dhe nuk e dinë çfarë do të thotë realisht 1997-ta. Janë 1.3 milionë shqiptarë që kanë lindur pas vitit 1997. Pra një pjesë e madhe e jona nuk e di se çafër kanë ndodhur dhe për ata vlen të thuhet se 97-ta ka qenë viti i një tragjedie shumë të rëndë, ku ndër të tjera ndodhi dhe hapja e depove të ushtrisë, shpërndarja e armëve dhe me këto armë janë vrarë 224 punonjës të policisë. Me këto armë janë vrarë 6 099 qytetarë të Shqipërisë”, tha Lleshaj.

“Për të mos thënë që këto armë edhe janë trafikuar dhe në vende të tjera, duke ndihmuar, mbështetur krimin e organizuar dhe strukturat e tjera kriminale. Dënimet e dhëna ndaj personave që janë kapur me armë ka qenë i pamjaftueshëm. Vetëm gjatë këtij viti janë kapur rreth 900 armë, një vit më parë mbi 1000 armë”, vijoi ministri Lleshaj.

“Dënimet kanë qenë simbolike dhe në mjaft raste kanë munguar , por këto armë nuk përdoren për argëtim, por për krim në përgjithësi dhe ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të ndahen nga armët. Për këtë arsye kodi parashikon rëndimin ta masë së dënimit për të gjithë qytetarët që kapen me armë pa leje duke qarkulluar në rrugët e vendit. Dhe dënime do të nisin nga 5 vite dhe do përfundojnë me 15 vite në raste përsëritje”, tha Lleshaj.

“Ne, vijoi ai, gjithashtu përmes kodit penal rëndojmë dhe kushtet e marrjes së armëve me leje. Janë mbi 109 mijë armë me leje, kryesisht armë gjahu. Këto armë veç se kanë shkaktuar masakra të mëdha në faunën e vendit kanë shkaktuar dhe jo rrallë dhe viktima njerëzore dhe parashikojmë që në ligjin e ri për armët shtrëngojmë më tej kushtet dhe për armët me leje. Kjo do të thotë që armën në përgjithësi ta bëjmë një mall shumë vështirë të aksesueshëm për këdo, me qëllim, që të pengojmë, të ulim riskun për sigurinë dhe të mundohemi që sigurinë t’ja besojmë organeve të specializuara për të dhe jo çdo qytetari në vetë vete”, tha Lleshaj.

“Dhe së fundi, një nen tjetër i Kodit penal që ndryshohet ka të bëjë me pengimin e qarkullimit. Përgjithësisht është bërë një lloj mode në Shqipëri që kushdo që është I pakënaqur nga veprime të caktuara të administratës, qeverisë, apo gjyqësorit të ushtrojë një vetëgjyqësi moderne duke bllokuar rrugët si përgjigje ndaj vendimeve që dikush nuk i pranon dhe këtu ka ardhur koha dhe është bërë mirë që Kodi Penal parashikon qartësisht masat ndaj atyre që bllokojnë rrugët e vendit”, tha Lleshaj.

“Mentaliteti para shtetëror i vetëgjyqësisë për të bllokuar rrugët sa herë i je i pakënaqur me vendime të caktuara duhet të marrë fund, qytetari shqiptarë përfshi dhe politika duhet të kuptoj se zgjidhja e problemeve ka vetëm një derë dhe ajo është dera e drejtësisë. Ndërsa rrugët kanë një tjetër funksion, ti shërbejnë, lëvizjes së lirë të qytetarëve, ekonomisë, zhvillimit dhe ata që për arsye politike apo privat bllokojnë rrugët e vendit do përballen me masa të reja të parashikuara në kodin penal. Bllokimi apo pengmarrja e rrugëve nuk mund të vazhdojë më. Këto janë faktet dhe shifrat zyrtare që janë pas vendimit të mazhorancës për ta ndryshuar kodin penal. Të gjitha bëhen në favor të qytetarëve dhe përmirësimit të parametrave të sigurisë në vend dhe në funksion të ruajtjes së jetës së punonjësve të policës dhe zyrtarëve të tjerë që përballen me veprime të dhunshme gjatë ofrimit të shërbimit, këtu flas për mjekët e zyrtarët e tjerë”, tha Ministri Lleshaj.

“Në këto kushte unë mendojë se ska arsye që ne të përpiqemi ta kuptojmë motivin e presidentit për ta rikthyer projektligjin për disa ndryshime në kodin penal, por unë mendojë se ky kthim vlen për arsye se na jep mundësinë të ritheksojmë e të ripërsëritim dhe njëherë rëndësinë që ka ky projektligj për mbrojtjen e sigurisë së jetës së atyre punonjësve që i shërbejnë sigurisë sonë” përfundoi Lleshaj. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com