Loading...

U rindërtuan 200 shkolla në gjithë vendin, Rama: Hoqëm trupën mësimore nga kthetrat e politikës

“Përveç infrastrukturës arsimore që po transformohet në gjithë vendin numërohen rreth 200 shkolla që janë rindërtuar me standarde optimale apo janë ndërtuar nga e para”.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama i pranishëm në përurimin e shkollës “Servete Maçi” në Tiranë.

Rama tha se këtij grupi do t’i shtohen edhe shkolla të tjera siç është grupi i 17 shkollave të reja të bashkisë së Tiranës që do të realizohen përmes një projekti të mbështetur financiarisht nga qeveria.

“Ne kemi një ambicie të re për të pasur shkolla, që duke qenë se ndërtohen nga themelet dhe nuk kushtëzojnë funksionalitetin të jenë një model i ri i shkollës së kësaj kohe të re që jetojmë”, tha Rama.

Por, sipas tij, “kur infrastruktura është aty dhe kur kushtet dhe logjistika janë aty, ajo që ka ende më shumë rëndësi është përmbajtja e procesit mësimor dhe e marrëdhënieve mes nxënësve dhe shkollës”.

Në këtë aspekt, Rama tha se nuk është aspak e ekzagjeruar të vlerësohet progresi që është bërë.

“Kemi një sistem mësimor goxha më cilësor e më miqësor për nxënësit në aspektin e ngarkesës dhe të organizimit të brendshëm. Kemi një trupë mësimore përfundimisht të mbrojtur nga sulmet e jashtme të politikës, nga kthetrat e interesave politike apo edhe nga imponimet e deridjeshme të korrupsionit dhe ryshfetit”, tha Rama.

Kryeministri tha se “sigurisht që jo gjithçka është flori, pasi ka edhe brenda gjithë këtij procesi elementë ende për t’u adresuar, por mund ta them me plot gojë se nëse shohim sistemin e funksionimit të sotëm dhe bëjmë krahasime me më parë, e shohim ndryshimin”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com