“Arsimi profesional nxit punësimin e të rinjve”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili përshëndeti sot nxënësit, mësuesit dhe prindërit e shkollës “Petro Sota”, Fier, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
“Sot rreth 42 mijë nxënës, të ushqyer nga dituria, pasioni dhe talenti i rreth 3.400 mësuesve, në 168 shkollat e qarkut të Fierit nisin takohen e ritakohen në vendin më të bukur në botë. Në shkollë, që merr jetë nga zërat e nxënësve, që zbukurohet nga bukuria juaj, që ndriçohet nga drita juaj, që fisnikërohet nga çiltërsia juaj”, tha Ruçi.
“Arsimi dhe kërkimi shkencor janë themelet e ndërtimit të së ardhmes, rruga kryesore e progresit dhe e përballimit të sfidave të integrimit euroatlantik, janë një e mirë publike, e cila realizohet nga arsimi publik, por edhe ai privat. Nuk ka një sektor tjetër ku publikja dhe privatja të jenë thirrur në një mision tërësisht e thellësisht publik: përgatitjen profesionale të gjeneratave të reja”, theksoi Kreu i Kuvendit.
Ne, vijoi ai, “po ndërtojmë një sistem arsimor, i cili nuk jep vetëm dije e nuk krijon vetëm shprehi, por kultivon e konsolidon identitetin kombëtar, zhvillimin e intelektit, formimin kulturor dhe të vlerave qytetëruese e morale, edukon dhe krijon të bukurën, forcon vetëdijen e përgjegjësinë individuale, komunitare e shoqërore, shpirtin e sipërmarrjes dhe aksesin në teknologjitë e reja dhe inovacionin”.atsh