Loading...

Kryemadhi me ambasadorin e ri gjerman: Nevojë për të tejkaluar krizën

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, ka zhvilluar ditën e sotme një takim ambasadorin e ri të Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf.

Kryemadhi u shpreh se i ka përcjellë ambasadorit falënderimet dhe ndjenjat e konsideratës më të lartë për mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë për afrimin e rajonit me Bashkimin Europian, e në veçanti për mbështetjen e Shqipërisë përmes investimeve nga Banka Gjermane për Zhvillim, KfW dhe projekteve zhvilluese nga GTZ.

Gjatë takimit, sipas Kryemadhit, ka nënvizuar nevojën e Shqipërisë për të tejkaluar sa më parë krizën aktuale, për t’i hapur vendit rrugën drejt Bashkimit Europian.

”Të majtë e të djathtë duan që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Integrimi në BE është i rëndësishëm për familjet shqiptare, pasi do të shtojë mundësitë për punësim të mirëpaguar, do të rrisë cilësinë në arsimim dhe shëndetësi, e do të përmirësojë standardet e jetesës në Shqipëri. LSI ka objektiv të saj Integrimin e Shqipërisë në BE. Gjithashtu i shpreha vlerësimin për kontributin e qeverisë gjermane për hartimin e Reformës në Drejtësi. LSI kërkon që Reforma në Drejtësi të vazhdojë përpara me integritet, ashtu siç është shkruar në Kushtetutë, e cila është miratuar unanimisht nga 140 përfaqësuesit e popullit në Kuvend”, tha Kryemadhi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com