Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko theksoi sot se falë marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kandasë për mbrojtjen shoqërore, përfitojnë dhe ata shtetas shqiptarë me dyshtetësi që lëvizin nga shtete të tjera drejt Kanadasë.
Majko tha se, “me urdhër të kryeministrit është krijuar një koordinator shtetëror vetëm për çështjen e marrëveshjeve për pensionet. Ky është zv/ministri i jashtëm. Një delegacion permanent i ministrisë së jashtme me ministrinë e Financave dhe sigurisht dhe nga Agjencia e Diasporës diskuton në komunikim me kancelaritë përkatëse për marrëveshjet”.
Këto tha Majko, “nuk janë marrëveshje të lehta. Për disa shtete si Italia dhe Greqia kanë kosto të jashtëzakonshme. Këto marrëveshje kanë rëndësi jo vetëm për numrin matematikor të prezencës tonë atje, pra të shtetasve tanë që kanë edhe dokumente kanadeze. Por kjo ka rëndësi sepse krijon hapësira ligjore për mbrojtjen e emigrantëve tanë, përveç se në Kanada edhe në vende të tjera me të cilët të dy vendet kanë marrëveshje dypalëshe”.
“Ka shumë sot shtetas italianë me kombësi shqiptare, pra që kanë dy shtetësitë apo nga Greqia që kanë shkuar në Kanada. Përshembull ne kemi marrëveshjen me Zvicrën. E njëjta gjë ndodh kur shtetasit tanë nga Greqia shkojnë në Zvicër. Përfitojnë pension dhe këtë e merr ndërmjet shtetit zviceran. Edhe me këtë marrëveshje kush shtetas shqiptar me letra greke ka shkuar për në Kanada është një përfitues”, u shpreh ministri Majko.
Pra, theksoi ai, “ne e kemi futur në sistem kapilar të gjithë këtë histori. Duhet ta shikojmë sepse kam përshtypjen që ndonjëherë duket sikur janë si puzzle, Kanadaja dhe vetëm atje, vetëm Zvicra dhe vetëm atje, Gjermania dhe vetëm atje, vetëm Austria. Jo në fakt këtu është një sistem kapilar që është shumë i rëndësishëm të ndiqet hap pas hapi. Dhe ne jemi duke e ndjekur., një herë në tre muaj bëhet raportimi dhe çohet në Komitetin Shtetëror të Diasporës. Dhe jemi të gatshëm të ofrojmë çfarëdolloj informacioni”./atsh