Loading...

Marrëveshja Shqipëri-Katar për transportin detar, Balluku: Nxit tërheqjen e kompanive për investime

“Shqipëria ka një marrëveshje në fushën e transportit ajror me shtetin e Katarit dhe thellimi i bashkëpunimeve midis dy vendeve është në interes mjaft të madh për vendin tonë”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë seancës së sotme parlamentare lidhur me ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Katarit për transportin detar.

Balluku theksoi se “shteti i Katarit është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë për gazin natyror të lëngëzuar dhe duke patur në konsideratë që jemi duke punuar për gazifikimin e vendit një nga fushat e bashkëpunimit të ardhshëm mund të jetë edhe në sektorin e hidrokarbureve”.

“Marrëveshje të tilla lehtësuese mund të nxisin tërheqjen e kompanive të gazit të Katarit për të investuar në infrastrukturën dhe importin e përdorimit të gazit natyror në Shqipëri”, u shpreh Balluku.

Ajo shtoi se, “sikundër transporti rrugor dhe ai ajror, transporti detar efikas dhe me kosto të ulët luan një rol thelbësor në zhvillimin dhe rritjen e qëndrueshme të vendeve, veçanërisht atyre në zhvillim siç është dhe Shqipëria”.

“Ftoj të gjithë të miratojnë projektligjin për “Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Katarit për transportin detar”, pasi transporti detar është shtylla e tregtisë globale dhe nëpërmjet marrëveshjeve të tilla krijohen lehtësira për mbarëvajtjen dhe maksimizimin e përfitimeve prej tij”, përfundoi ministrja Balluku./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com