Loading...

Basha paralajmëron deputetët që do të rrëzojnë dekretet e Metës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi sot deputetët që do të votojnë pro rrëzimit të dekreteve të Presidentit Meta që ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend disa ligje, sikurse atë për “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”, për koncesionin e rrugës Orikum – Llogara, Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat si dhe për koncesionin e rrugës Milot – Balldren.

Në një deklaratë për mediet, Basha tha se emrat e deputetëve do të mbahen shënim dhe ata do të hetohen nga Antimafia.

“Dua të paralajmëroj çdo anëtar të seancës që ngre dorën për të miratuar vjedhjen me ligj se nesër do të jetë subjekt i ligjit Antimafia. Sot po ju vëzhgojmë dhe do ju mbajmë shënim emrat. Nesër do ju ndjekim këmba-këmbës. Çdo qindarkë dhe çdo pronë do të jetë nën lupën e ligjit Antimafia dhe të SPAK-ut”, tha Basha.

Ndërsa denoncoi votimin sot në parlament për koncesionin e rrugëve Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren të cilën e konsideroi si grabitjen më të madhe në 30 vite, Basha tha se koncesionet e pastrimi masiv i parave në ekonomi, përbëjnë rrezik për destabilizimin e vendit, për sigurinë kombëtare dhe për ndalimin e integrimit europian të vendit.

Basha tha se të gjithë personat, duke nisur nga punonjësi më i thjeshtë e deri te kryeministri do i nënshkruhen ligjit Antimafia, në bashkëpunim me SPAK e BKH.

“I vetmi përjashtim është vjedhja e grabitja e pasurive të shqiptarëve. Çdo akt, çdo veprim e çdo firmë e Ramës, ka për qëllim grabitjen e shqiptarëve. Pasojat e aktivitetit kriminal janë shkatërrimtare për vendin për buxhetin për pasuritë kombëtare dhe kanë pasoja të rënda politike, në kapjen e pushtetit nga krimi, destabilizimin e vendit. Koncesionet korruptive kanë sjellë dëme kolosale, qindra miliarda euro të grabitura, të gjitha paratë e buxhetit po kontraktohen nga Rama për 15-20 vitet e ardhshme, do të shkojnë në xhepat e Ramës apo 4 – 5 oligarkëve të lidhur me të”, tha Basha.

Kreu i PD theksoi se, dëmi është i pallogaritshëm edhe në ekonomi. “Dëmi është i pallogaritshëm edhe në fushën e ekonomisë, po zhvendosen nga tregu bizneset e ndershme, për të vendosur monopolet”.

“Bashkë me paralajmërimin që i drejtoj sot parlamentit të cunguar dhe çdo anëtari të këtij parlamenti e bëj të qartë se nuk ka gjë më të rëndësishme se zhdukja e ndikimit e pasojave kriminale me të cilën Rama ndan plaçkën e vjedhur shqiptarëve. Hetimi në nivel i korrupsionit të lartë, është prioritet absolut, çdo kontratë do të konsiderohet vepër penale dhe do t’i nënshtrohet ligjit Antimafia në bashkëpunim me SPAK e BKH. Çdo kompani private e person privat publik i përfshirë në këto afera, nga më i thjeshti deri te kryeministri do i nënshtrohen hetimit të pasurisë e të ardhurave, të gjithë zyrtarë në detyrë ministra e ish-ministra që janë larguar pasi kanë mbushur xhepat, asnjë prej tyre nuk do i shpëtojë hetimit. Askush nuk do të shpëtojë. Të gjithë shqiptarët e dinë fare mirë se alternativa që kemi është ndëshkimi i tyre për të shpëtuar Shqipërinë. PD e ka bërë zgjedhjen e tyre, jemi në krah të shqiptarëve për të shpëtuar Shqipërinë”, theksoi Basha.atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com