Këshilli i Lartë i Gjyqësorit është mbledhur sot për të shqyrtuar dhe verifikuar 14 kandidatët për gjyqtarë në Gjykatën e Larët nga radhët e juristëve më të spikatur.
Në rendin e ditës janë shtatë pika. Pika e parë është, shqyrtimi i projektvendimeve për gjendjen e faktit dhe ligjin e zbatueshëm në lidhje me verifikimin e kushteve dhe kritereve për 14 kandidatë për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, përgatitur nga relatorët përkatës.
Mësohet se nga 22 kandidatë që aplikuan, 13 nuk janë kualifikuar, njëri është tërhequr dhe vetëm 8 kanë mundur që të kalojnë këtë fazë për të vijuar garën. Gjyqtarët e kualifikuar janë, Jetmira Rragami, Ervin Pupe, Rezarta Melo, Theodhori Sollaku, Kestrin Katro, Sokol Sadushaj, Ilir Panda dhe Ardita Alsula.
Kandidatët e skualifikuar janë: Sergjio Mazreku, Ndue Pjetra, Ergys Misha, Aldona Sulaj, Jordan Daci, Lindita Troja, Alma Loci, Hermina Albunesa, Agron Lamaj, Vjosa Bodo Mujo, Shaqir Hasanaj, Anton Lleshaj dhe Altin Binaj.
Pika e dytë është Shqyrtimi i projektvendimit “Për shpalljen e procedurës së emërimit në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur” (në fushën e të drejtës civile), i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës.
Më tej është pika e tretë e rendit të ditës, shqyrtimi i projektvendimit “Për përjashtimin e gjyqtarëve Margarita Buhali dhe Fatri Islamaj nga procedura e ndarjes së çështjeve me short”, i përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale. Shqyrtimi i opinioneve për kandidatët nga radhët e gjyqtarëve që kanë shprehur interes për komandimin pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës. Shqyrtimi i projektvendimit “Për përsëritjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit Gentian Marku në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër”, i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës.
Shqyrtimi i projektvendimit “Për ndërprerjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit Besmir Stroka në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë dhe kthimin e tij në pozicionin e mëparshëm”, i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës
Dhe në fund, do KLGJ do të vendos caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme, i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës. /atsh