Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot pr/ligjin “Për ndryshimet klimatike”.
Relatorja e këtij projektligji Elona Gjebrea, u shpreh se, “qëllimi i këtij projektligji është krijimi i bazës ligjore për integrimin e politikave dhe për masa efektive që mundësojnë plotësimin e detyrimeve të Republikës së Shqipërisë ndaj Konventës, për arritjen e objektivit final të saj, përmes nxitjes së reduktimit të shkarkimeve GES dhe ruajtjes dhe rritjes së përthithësve e rezervuarëve të vendit; përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në nivel kombëtar dhe/ose lokal dhe evidentimin e arritjeve të vendit në këto drejtime, duke përdorur metodologji sipas modeleve të Konventës dhe të BE-së”.
Për të folur rreth projektligjit e ftuar ishte Ornela Çuçi, zëvendësministre në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si dhe specialistë të tjerë të kësaj ministrie.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve në komision, anëtarët e pranishëm miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë./atsh