Akademiku Farudin Hoxha është i njohur si njeriu që udhëhoqi projektimin e veprave më të mëdha hidroenergjetike në vend. Sot në ditën e dyvjetorit të ndarjes së tij nga jeta, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) e kujton profesor Farudin Hoxhën, duke sjellë në vëmendje se edhe në ditët e fundit të jetës, ai ishte i angazhuar me projekte hidrocentralesh më të vegjël.
Farudin Hoxha (20 janar 1935 – 11 shtator 2017) pasi kreu studimin mbi shfrytëzimin hidroenergjetik të lumit Drin, mbi të projektoi Hidrocentralet e Vaut të Dejës, Fierzës e Komanit, Hidrocentralin e Banjës, Bistrica II dhe Bogovës si dhe shumë të tjerë të një fuqie më të vogël.
Janë pikërisht këto hidrocentrale që edhe sot përbëjnë bazën e sistemit tonë të furnizimit me energji elektrike.
“Ka qenë projektues dhe kryetar i grupit të studimit dhe të projektimit të të gjitha digave të hidrocentraleve të mësipërme, me lartësi nga 40 m deri në 167 m, disa prej të cilave nga Komiteti Botëror i Digave të Mëdha, janë klasifikuar ndër më të lartat në Europë. Mund të thuhet se ishte njeriu që ndriçoi shtëpitë tona”, thuhet në njoftimin e KESH. /atsh