Loading...

Basha në PPE: Hapja e negociatave, aspiratë e shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po merr pjesë në Asamblenë Politike të Partive Popullore Europiane (PPE), që po zhvillon punimet në Bruksel.

Në ditën e parë të punimeve të Asamblesë, Basha u takua me përfaqësues të partive anëtare të PPE-së, drejtues të politikës së jashtme dhe të zgjerimit në Parlamentin dhe Komisionin Europian, si dhe Parlamentet e vendeve anëtare.

Lideri i opozitës kërkoi mbështetjen e tyre për hapjen e negociatave për Shqipërinë si një aspiratë e shqiptarëve, por edhe si garanci për të ndërtuar në Shqipëri një shtet demokratik, me pushtete të ndara, ku të garantohet vota e lirë.

“Siç u dëshmua nga raporti i OSBE/ODHIR për votimet moniste dhe antikushtetuese të 30 Qershorit, zgjedhjet nuk janë as të lira, as demokratike. Hapja e negociatave është e rëndësishme, pasi do të sjellë një mbikëqyrje të shtuar nga BE për të ndihmuar në ndarjen e politikës nga krimi, i cili sot ka kapur shtetin dhe për të penguar kandidimin e personave me rekorde kriminale, siç demonstrojnë rasti i Shkodrës dhe Vorës, ku është provuar tashmë se dy të inkriminuar u caktuan të kandidonin për bashkitë”, tha Basha.

Sipas tij, “Shqipëria sot ka një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike”. Për Bashën “zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të mbikëqyrura nga një qeveri tranzitore”.

Punimet e Asamblesë Politike të PPE-së do të vazhdojnë dhe gjatë ditës së nesërme, ku në axhendën e diskutimit, do të jenë sfidat me të cilat përballet Europa aktualisht dhe përgatitjet për Kongresin e PPE-së, i cili këtë vit mbahet në Zagreb./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com