Lumi Gjanica në Fier po pastrohet në të gjithë gjatësinë e tij për të shmangur rrezikun e përmbytjeve gjatë muajve të dimrit, kur shtohen ndjeshëm prurjet.
Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, bën të ditur detaje nga ndërhyrja që po bëhet në gjithë gjatësinë e shtratit të lumit, që në stinën e dimrit kthehet në një rrezik serioz për banorët e Fierit.
Sipas tij, paralel me investimin në qendër të qytetit po vijohet me pastrimin e lumit Gjanica.
“Paralel me investimin në qendër të qytetit nisëm punën për pastrimin e lumit Gjanica dhe mirëmbajtjen e tij. Një punë e përvitshme që i rikthehemi sa herë është e nevojshme për të eleminuar çdo rrezik të mundshëm të vërshimit të lumit gjatë stinës së dimrit”, -thotë Subashi.
Ndërhyrja e bashkisë synon të shmangë rrezikun e përmbytjeve në Fier, fenomen problematik ndër vite. Është një sasi e konsiderueshme mbetjesh dhe mbeturinash që hiqet çdo vit për të evituar rastet e përmbytjeve.
Po ashtu, vëmendje e veçantë i kushtohet pastrimit poshtë urave ku grumbullohen mbetjet, por edhe pikave ku lumi ka tendencë të ngushtojë shtratin e tij./atsh