Ky është një incident për të ardhur keq, deklaroi Dritan Tola, ambasadori i Shqipërisë në Francë për “franceinfo”. Të shtunën më 7 shtator në mbrëmje, para se të fillonte ndeshja mes Francës dhe Shqipërisë në “Stade de France”, himni i Shqipërisë u ngatërrua me atë të Andorrës.
Ambasadori falënderoi francezët e shumtë, si zyrtarë dhe qytetarë, që kërkuan falje për gabimin. Ai sheh në këto reagime një “shenjë të miqësisë së sinqertë mes francezëve dhe shqiptarëve dhe ne i falënderojmë shumë”.
Menjëherë pas kësaj ngatërrese, Noel Le Graet, presidenti i Federatës Franceze të Futbollit kërkoi falje para homologut të tij shqiptar dhe ambasadorit. Emmanuel Macron foli gjithashtu me kryeministrin e Shqipërisë pas kësaj ndeshje.
Dritan Tola e konsideron këtë “një gabim njerëzor dhe gabime mund të ndodhin kudo”.
Ai përshëndeti gjithashtu reagimin e lojtarëve të ekipit kombëtar që nuk pranuan të fillojnë ndeshjen pa dëgjuar himnin kombëtar.
“Le të shpresojmë që gjatë ndeshjes mes Francës dhe Andorrës, të martën e ardhshme, të mos luhet himni shqiptar!”, tha ai.
Gjatë intervistës për “franceinfo”, Dritan Tola përshëndeti fitoren e bluve (4-1) dhe shtoi se “ky incident i vogël na tregoi se të mësuarit të gjeografisë dhe gjeopolitikës mbetet një lëndë dhe një çështje e rëndësishme, si në shkollë edhe gjatë jetës. Në Francë, dhe kudo!”. /atsh