Dy binjakët që fituan betejën për jetën falë përkushtimit të mjekëve në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, përfituan po ashtu edhe çekun e dyfishtë të bebes prej 1.6 milionë lekësh.
Kryeministri Edi Rama ndau sot lajmin e mirë të tejkalimit të rrezikut për jetën të dy binjakëve Amir dhe Amar, të cilët prej 37 ditësh të vështira në reanimacion tashmë shkojnë në shtëpinë e tyre.
“Pas 37 ditësh të vështira në reanimacion mes frymëmarrjes e ndalimit të frymës, dy ëngjëllushët e vegjël, Amir dhe Amar, ia kanë dalë të fitojnë betejën për jetën falë një ndërhyrjeje tejet delikate të mjekëve tanë dhe përkushtimit të gjithë bluzave të bardha të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë””, tha Rama.
Rama tha se ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, që i ka ndjekur nga afër çdo ditë, po i përcjell sot binjakët në shtëpi, bashkë me mamin dhe babin.
“…edhe me çekun e tyre të dyfishtë 1.6 milionë, sepse janë jo vetëm dy, po janë edhe të dytët”, sqaroi Kryeministri./atsh