Kryengritja e Postribës nisi më 7 shtator 1946 dhe është një nga lëvizjet e para të armatosura antikomuniste, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë bllokun lindor.
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”solli sot në vëmendje përkujtimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, e cila edhe pse dështoi për të qenë një kryengritje serioze me ndikim të gjerë, pasojat që la për pushtetin komunist ishin të rënda dhe që nga ajo periudhë nisën reprezaljet më çnjerëzore.
Pas shtypjes së lëvizjes, nisën edhe proceset ndëshkimore gjyqësore dhe për Kryengritjen e Postribës njihen disa procese të shkëputura nga njëra-tjetra, për shkak të numrit të madh të të akuzuarve.
Në gjyqet e para ajo që konstatohet është se përveç të dyshuarve si kryengritës, ka një numër të madh klerikësh dhe intelektualësh të Shkodrës.
Për 9 të pandehurit – Dulo Kali, Mons.Gjergj Volaj, Bilbil Hajni, Xhelal Hardoli, Cin Serreqi, Ragip Meta, Osman Haxhija, Shaban Abdullahi, Isa Meta-dënimin -ME VDEKJE; Për të pandehurit – Padre Gurashi, Abaz Hysi, Myrto Dani, Jakup Dani – me burgim të përjetshëm. Për të pandehurit; Syrja Anamali e Nuh Duli me 20 vjet privim lirije. Për të pandehurit: Sami Rrepishti, Hafiz Derguti, Sulo Kurti e Hajdin Tafa me 15 vjet privim lirije. /atsh