Loading...

“Edukimi sjell ndryshimin” në Ditën Ndërkombëtare të shkrimit dhe leximit

Me rastin e ditës ndërkombëtare të shkrimit dhe leximit u zhvillua në Qendrën Komunitare Multifunksionale Nishtulla, eventi sensibilizues dhe informues me temë “Edukimi sjell ndryshimin” i cili bëri bashkë institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile, fëmijë dhe prindër të komuniteteve të zonës.

Në këtë aktivitet morri pjesë dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Valbona Sako. E drejta për edukim dhe përgjegjësia prindërore ishin thelbi i këtij takimi i cili vijoi me prezantimin e shërbimeve që ofrohen lokalisht për arsimim dhe të mësuarit përgjatë gjithë jetës, reflektim mbi sfidat dhe hapat e nevojshëm që duhen ndërmarrë lidhur me arsimimin dhe formimin përgjatë gjithë jetës dhe përcjelljen e një mesazhi ndërgjegjësues tek i gjithë komuniteti.

Kryetarja e bashkisë Durrës, Valbona Sako në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se arsimi është i rëndësishëm për të ardhmen e çdo njeriu dhe të të gjithë shoqërisë.

“Dëshiroj që ditë të tilla të shënuara si Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit në një të ardhme sa më të afërt të mos jenë ditë ku të shprehen problematika, po ditë ku të prezantojmë arritje të reja dhe së bashku të gjejmë rrugën më të mirë për të sjellë zhvillim. Edukimi sjell ndryshimin. Duhet të bëhemi një shoqëri e ndërgjegjshme që ta kuptojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin dhe vetëm duke punuar të gjithë bashkë do të jemi një shoqëri pozitive”, – u shpreh Sako.

Pasi u fol për të drejtën për edukim, të mësuarit përgjatë gjithë jetës dhe përgjegjësitë prindërore, pjesëmarrësit u sqaruan për shërbimet në funksion të arsimit dhe të mësuarit përgjatë gjithë jetës nga përfaqësues të Zyrës Arsimore Vendore, shkollës 9-vjecare ”Isuf Ferra”, Zyrës Rajonale të Punës, Drejtorisë së Shërbimit Social, njësisë administrative 5, Qendrës Shëndetësore “Nishtulla”, Qendrës Sociale “Nehemia”, Organizata “Terres des hommes” dhe organizata “Nisma për ndryshim shoqëror-ARSIS”.

Fëmijëve 3-18 vjeç iu shpërndanë libra artistikë të mundësuar nga Qendra Komunitare Multifunksionale Nishtulla dhe organizata “Terre des hommes” përmes projektit IRMA të financuar prej Qeverisë gjermane në bashkëpunim me GIZ Albania të nxisin sadopak leximin, shkrimin dhe aftësitë shprehëse të 30 fëmijëve.

Aktiviteti përcolli mesazhin “Një fëmijë, një prind, një mësues, një libër, një penë, një fjalë dhe një mundësi mund ta ndryshojë dhe shpëtojë një person, një familje, një komunitet dhe gjithë botën”.

Aktiviteti u organizua nga Këndi i BE-bashkia Durrës, Qendra Komunitare Multifunksionale Nishtulla, “Terre des Hommes” dhe Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS. //atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com