Loading...

Rritje e numrit të turistëve polakë në Shqipëri

Në kuadër të forumit ekonomik në Krynica Zdrój të Polonisë, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi zhvilloi një takim me Kryeministrin e Polonisë, Mateusz Morawiecki dhe Ministrin e Investimeve dhe Zhvillimit Ekonomik, Jerzy Kwieciński.

Ministri Shalsi bën të ditur se gjatë këtyre takimeve u bisedua për çështje me interes reciprok, por veçanërisht numri në rritje i turistëve polakë në vendin tonë.

“Përpos diskutimeve të realizuara në panel me Ministrin e Investimeve dhe Zhvillimit Ekonomik, biseduam edhe për çështje me interes reciprok duke u ndalur kryesisht tek numri në rritje i turistëve polak në Shqipëri. Një kënaqësi e veçantë ishte edhe takimi me Kryeministrin e Polonisë”, shprehet Shalsi.

Ministri po merr pjesë në punimet e forumit ekonomik në Krynica Zdrój të Polonisë nga ku përfaqësues nga shtete të ndryshme ndanë praktikat më të mira të bashkëpunimit rajonal.

Strategjia e BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), e cila konsiston në një platformë bashkëpunimi, ishte një ndër temat kryesore për të cilën ministri foli në konferencë.

“Forumi Ekonomik ishte edhe një rast shumë i mirë për të marrë pjesë si dëgjues në panele të tjera, ku diskutoheshin tematika shumë interesante, të vlefshme, aktuale edhe për vendin tonë”, -tha Shalsi. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com