Loading...

Zgjedhjet e 30 qershorit, Cakaj: Raporti i OSBE/ODIHR-it konfirmon legjitimitetin e plotë të procesit

“Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit ka konfirmuar legjitimitetin e plotë të procesit dhe ofruar një paketë të vlefshme rekomandimesh”, deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Në një konferencë për shtyp ku analizoi gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR-it, Cakaj tha se “tani është koha për dialog dhe bashkëpunim në funksion të Reformës Zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2021”.

Duke cituar raportin e OSBE/ODIHR-it, Cakaj tha se “procesi ishte i rregullt në më shumë se 95% të vendit, ndërsa pjesa tjetër çështjet teknike ato që u vlerësuan negativisht”.

Zgjedhjet e 30 qershorit, sipas tij, vendosën një shembull të pakthyeshëm historik duke dëshmuar se qëndrueshmëria e institucioneve kombëtare është më e lartë se shuma e interesave partiake edhe kalon sjelljet e dhunshme dhe antiinstitucionale.

“Raporti i fundit i OSBE/ODIHR- i cilëson sjelljet e PD-së dhe LSI-së në raport me godinën e kryeministrisë si të dhunshme dhe sjelljet e tyre në përgjithësi si vandaliste. Në qershor Shqipëria ka pasur shumë më shumë se zgjedhje vendore, pasi është përballur me sfidën e rendit demokratik”, tha Cakaj.

Përveç dhunës vandaliste, opozita sipas tij, “ka edhe një program të mirëplanifikuar për të dëmtuar procesin e hapjes së negociatave në qershor dhe tani në tetor”.

Cakaj tha se “raporti i OSBE/ODIHR-it i vlerëson zgjedhjet e 30 qershorit si një proces i rregullt, demokratik dhe i njohur ndërkombëtarisht”.

Tani, tha ai, “kemi edhe një udhërrëfyes se si mund të rritet besueshmëria dhe cilësia e organizimit të zgjedhjeve”.

Cakaj tha se “gjatë këtyre ditëve është diskutuar mbi përmbajtjen e raportit dhe ka ekzistuar përpjekja për të keqpërdorur referencat e ndryshme ndërkombëtare para opinionit vendor”.

“PD dhe LSI janë të angazhuara në keqinformimin e faktorëve ndërkombëtarë, ndërsa tani kanë keqpërdorur referencat ndërkombëtare për konsum të brendshëm. Ky raport është më shumë kritik për opozitën se sa për procesin e zgjedhjeve vendore në veçanti”, tha ai.

Cakaj u shpreh se nevojitet rifillimi i një dialogu politik për të adresuar të gjitha shqetësimet e OSBE/ODIHR-it.

Duke u ndalur te disa prej gjetjeve kryesore të raportit, Cakaj tha se “vetë raporti sqaron se zgjedhjet janë zhvilluar pa konsideratë të mjaftueshme të interesave të elektoratit dhe mundësi të plotë të zgjedhjeve mes grupimeve politike, por ai shtoi se “kjo vjen nga bojkotimi i zgjedhjeve nga opozita dhe nuk do të thotë se zgjedhjet kanë qenë jolegjitime në tërësi”.

“Raporti sqaron se në Shqipëri për zgjedhjet vendore nuk ekziston një prag minimal i numrit të votave për të kualifikuar një kandidat legjitim”. Kuadri ligjor në Shqipëri mundëson pluralizmin dhe garën e lirë dhe përgjegjësi e qeverisë është të siguroj mundësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, por sipas ministrit, nuk mund të mbajë përgjegjësi për garantimin e pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje.

Raporti evidenton se klima gjatë fushatës ishte tepër e polarizuar dhe nuk i është kushtuar vëmendje programeve elektorale apo debateve dhe kjo, sipas Cakajt, “është rrjedhojë e natyrshme e një procesi atipik elektoral ku përgjegjësia u takon atyre që e kanë bojkotuar procesin”.

“Opozita në veçanti ka ushtruar presion madhor për mospjesëmarrje në zgjedhje. Kjo tregon se klima e zgjedhjeve ka qenë e ndikuar negativisht jo për shkak të veprimeve abuzive të qeverisë, por për shkak të një sjellje të caktuar politike që ne nuk e dëshirojmë”, tha Cakaj.

Përkundër kësaj sjellje, Cakaj tha se “askund në raport nuk konstatohet se zgjedhjet kanë qenë jolegjitime sepse opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në to”.

Sa i takon dilemave juridike, Cakaj tha se “raporti nuk vjen në përfundimin se kjo është shkaktuar nga një ndërmarrje e njëanshme e qeverisë shqiptare, por rrethana e parë është mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese që vjen si rrjedhojë e reformës së paprecedentë të reformës në drejtësi dhe e dyta zhdekretimi i zgjedhjeve dhe bojkotimi i tyre”.

Cakaj tha se “është koha për reflektim të sinqertë dhe marrje të përgjegjësive të secilit për gjetjet raportit”. “Nuk mund të jesh shkaktar i një problemi dhe të ankohesh se ekziston ai problem. Kjo është e papërgjegjshme”, tha Cakaj./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com