Loading...

Mirënjohje rinisë, bashkia Tepelenë vlerëson nxënësit ekselentë

E kthyer në një traditë tashmë prej 8 vitesh, bashkia Tepelenë zhvilloi ceremoninë e nderimit për maturantët që përfunduan studimet, për vitin 2018 – 2019.

Aktiviteti u mbajt në qendrën e qytetit, ku morën pjesë nxënës e qytetarë të shumtë.
“Lejomëni të uroj nxënësit e këtij viti për rezultatet e arritura. Të kenë sa shumë suksese dhe të punojnë ashtu si ç’kanë bërë deri më tani, pasi suksesi i tyre është sukses edhe krenari jo vetëm për prindërit dhe familjen, por për të gjithë ne”, tha kreu i Bashkisë, Tërmet Peçi.

Peçi u shpreh se, “edhe pse jemi qytet i vogël asnjëherë nuk na kanë munguar njerëzit e mëdhenj, shumë prej të cilëve janë krenari kombëtare, edhe një shembull frymëzimi për këdo që do të ndjek rrugën e dijes. Një nga shembujt e kemi në këtë shesh, përmendoren e mësuesit të popullit Sali Nivica, që të gjithë njohim veprën e tij, si ky njeri me histori të ndritur kemi edhe dhjetra të tjerë që meritojnë e nderohen njësoj si ai”.

“Një këshillë dua ta ndaj si prind me ju, mësoni të jeni të sjellshëm dhe të bëheni profesionist në atë që zgjidhni në jetë, kështu do të jeni të suksesshëm…”, u shpreh midis të tjerash Peçi, ndërsa nuk munguan përshëndetjet nga Drejtoria Arsimore, si dhe mësues të gjimnazit “Abaz Shehu”, ku nuk u la pa përmendur mbështetja e bashkisë me investime në fushën e arsimit.

Në këtë ceremoni për këtë vit u vlerësuan maturantet, Aleksia Zaimi, Ana Çela, Berjana Baka, Julia Guma.

Ky aktivitet përkoi edhe me 60 vjetorin e themelimit të shkollës Abaz Shehu, ku përreth 2 orë u mbajt një koncert mjaft i ngrohtë nga ikona e muzikës së lehtë Kozma Dushi shoqëruar nga Genci dhe Elona Cenaj. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com