Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se mezi pret të kthehet tek Parlamenti, duke deklaruar se do të paraqitet në komisionin parlamentar hetimor ndaj tij.
“Të dashur miqtë e mi gazetarë. Më ‘çmendët’ me sms tuaja, si asnjëherë tjetër! Po ç’është kjo pyetje kaq absurde që më bëni të gjithë: A do shkoj tek Parlamenti?! Unë mezi pres të kthehem tek Parlamenti”, tha Meta.
Po ashtu ai theksoi se Presidentit si Kryetar i Shtetit, i takon të jetë shembull i bashkëpunimit institucional.
“Dhe besoj se në këto dy vite kam bërë gjithçka për të vendosur këtë bashkëpunim, në respekt të plotë të Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesit publik”, tha ai.
Komisioni hetimor parlamentar për hetimin e Presidentit Ilir Meta në mbledhjen e djeshme vendosi të thërrasë Presidentin Meta më datë 6 shtator. Meta do të thirret për t’u pyetur rreth dekretit të tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit./atsh