“Viti 2019 në 8-mujorin deri më 31 gusht ka shënuar plot 4 milionë e 850 mijë turistë të huaj që kanë hyrë në vendin tonë e që janë 10% më shumë së i njëjti 8-mujor i vitit 2018”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë një interviste televizive për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Klosi tha se, “gushti cilësohet si muaj i suksesshëm turistik pasi 1.5 milionë turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë, pra 8% më shumë se gushti i 2018. Në datat 5-25 gusht i gjithë kapaciteti në bregdet ka qenë i ezauruar”.
“Tashmë në turizmin shqiptar ka ardhur koha për rregulla të reja dhe nëse ne nuk kuptojmë që sot që kemi nevojë për një strukturim tjetër të turizmit shqiptar vitin tjetër do kemi problem më të mëdha”, vijoi Klosi.
“Ne ndjehem pozitiv për sa i përket shërbimeve në turizëm si mikpritja dhe gjithashtu po ecim shumë në strukturat akomoduese, Ka një moment të fortë zhvillimi përsa i përket hotelerisë në gjithë zonën e bregdetit, pasi ka me mijëra shtretër të shtuar të rinj në gjithë strukturën turistike të vendit”, shtoi ai.
“Ky vit gjithashtu shënoi progres përsa i përket rregullave përsa i përket hapësirave publike, menaxhimit të plazheve dhe hapësirave të mbrojtura”, përfundoi ministri Klosi. /atsh