Uragani Dorian po i afrohet Floridës dhe kërcënon 10 milionë persona.
“Uragani po përforcohet dhe tani ka arritur në kategorinë 4, jashtëzakonisht i rrezikshëm. Mund të jetë shumë shkatërrues”, paralajmëron Donald Trump.
Janë duke u marrë masat në të gjithë shtetin, meqenëse nuk është arritur të parashikohet me saktësi trajektorja e uraganit. Megjithatë matjet e fundit tregojnë një ndryshim të trajektores dhe mendohet se uragani do të prekë vetëm brigjet duke kursye pjesën e brendshme.
Por asgjë nuk është e sigurt edhe sepse efektet e para të uraganit po ndihen, me ujin që rritet në Majemi dhe disa përmbytje në qytet.
Evakuimet e detyrueshme janë duke u kryer në disa zona të shtetit, të cilat konsiderohen për momentin më të rrezikuarat nga Dorian. Mes tyre janë Brevard, Palm Beach dhe Martin. /atsh