Në kuadër të luftës kundër informalitetit, zëvendëskryeministri Erion Braçe bëri sot apel për respektim të ligjit, ndërsa theksoi se “mosdokumentimi i çdo transaksioni të kryer për t’i ikur tatimeve e taksave, për të marrë favore e deri rimbursim, është shkelje e shumëfishtë e ligjit”.
Duke iu referuar rastit të informalitetit me shitjen e biletave të autobusëve në disa linja në Tiranë, Braçe paralajmëroi që mos ta marrin me të qeshur aksionin antiinformalitet, pasi nuk është lojë.
“Paligjshmëria po u merr në qafë. Nuk u kërkon kurrkush asgjë tjetër veç të jeni të ligjshëm, të paguani taksat. Vjet në dhjetor, pak pas miratimit të paketës fiskale, prita e dëgjova në Kuvend, përfaqësues nga sipërmarrja e transportit urban. Më listuan disa shqetësime dhe, për çdo shqetësim kishin edhe llogarinë pas, atë llogari ekonomike mbi bazë të së cilës kërkuan edhe një herë, ose subvencionim, ose rritje të çmimit të biletës, ose përjashtim, ose ulje të tatimeve”, tha Braçe.
Ndërkohë referuar të dhënave të inspektorëve të hetimit tatimor Rajoni Qendror që zbuluan skemën, Braçe tha se “xhiroja dhe të ardhurat e tyre, as që ishte reale, por ishte produkt i falsifikimit, mashtrimit, vjedhjes dhe evazionit”. Pra tha ai, “ishte më e vogël se realisht, thjesht e vetëm prej mashtrimit”.
“Për pasojë, llogaria ekonomike që më bënë sy më sy ishte e rreme! T’i hysh rrugës së mashtrimit edhe për 40 lekë, siç këto biletat, nuk ja vlen, nuk ju duhet! Rrini të ligjshëm, fitoni atë që ju takon, paguani tatimet për atë që qarkulloni e për atë që fitoni; shiheni, ju kushton shumë më lirë”, tha ai.
Braçe tha se “ne na duhet veç të jeni të ligjshëm, të punoni e fitoni, nuk na duhet as bllokimi e nuk na duhen as prangat për ju”.
“Na duhet veç ajo që ka përcaktuar ligji. Aaa dhe një gjë: mos gënjeni! Mbi të gjitha mos gënjeni duke e parë tjetrin në sy”, u shpreh Braçe. /atsh