Zëvendëskryeministri Erion Braçe njoftoi sot se masa të ashpra do të merren ndaj kompanive BIG në vend, të cilat konsumojnë më shumë se 40% të karburantit në treg e që kanë depozita private në fabrikat e tyre në mospërputhje me standardet dhe certifikimet e duhura.
Braçe i bëri thirrje kompanive të ndërtimit, kompanive të mëdha të distribucionit e të shërbimeve t’i drejtohen organeve ligjore për të certifikuar kapacitetet e depozitave të tyre.
“Që nga dita e sotme, deri në fund të muajit shtator, secili prej tyre ka kohën e mjaftueshme t’i drejtohet organeve shtetërore përfshirë metrologjinë ligjore dhe institucione të tjera për të certifikuar kapacitetet e depozitave të tyre sa më parë që të jetë e mundur, me qëllim që të gjithë autoritetet shtetërore të kenë dijeninë e qartë për kapacitetet e tyre dhe konsumin e tyre të karburantit”, – tha Braçe.
Në lupën e kontrolleve të institucioneve shtetërore do të jenë edhe kompanitë që nuk kanë depozita karburantesh, nuk konsumojnë naftë, por që janë pjesë në letra të operacioneve të tregtimit të karburanteve, duke paralajmëruar kështu edhe inspektorët e terrenit të cilët kanë kryer shkelje në konstatimet e tyre.
“Një kategori tjetër që nga gjithë hetimet e organeve fiskale sjell në vëmendje pikërisht faktin që nuk kanë depozita pranë kompanive të tyre, mbi të gjitha nuk konsumojnë naftë por disponojnë apo janë pjesë e operacioneve, në letra, të tregtimit të karburanteve. Natyrisht që secili prej tyre do të jetë pjesë e hetimit të organeve tona fiskale edhe bashkë me ta për këtë paligjshmëri që po e hasim ditë për ditë, pa më të voglin diskutim do të mbajnë përgjegjësi dhe gjithë inspektorët e organeve fiskale që i kanë lejuar apo kanë certifikuar këtë paligjshmëri”, – u shpreh Braçe. /atsh