Loading...

Vlorë, 12 breshka detare trajtohen në vit në qendrën e rehabilitimit në Radhimë

Raportimi i rasteve të prezencës së breshkave detare në ujërat e vendit tonë është rritur gjithmonë e më shumë gjatë viteve të fundit.

Njëkohësisht është rritur edhe numri i rasteve të breshkave të dëmtuara apo të rënies në rrjetat e peshkatarëve.

“Vetëm pranë qendrës së ndihmës së parë për Breshkat Detare në Radhimë, trajtohen mesatarisht 12 breshka detare në vit. Me mbështetjen e projektit ACAP dhe asistencën e WWF Italy janë ndërmarrë disa aksione për të rritur kapacitetet e administratës për trajtimin e kësaj specie”, bën të ditur Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë.

Sipas ADZM, Vlorë, një nga këto aksione është trajnimi i stafeve për kontrollin dhe evidentimin e plazheve të përshtatshme për folenizimin.

Po ashtu edhe trajnimi i veterinerëve, peshkatarëve dhe stafit të AdZM-ve dhe qendrës së trajtimit për të rritur gamën e trajtimeve, që mund të realizohen pranë qendrës.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe përmirësimit të infrastrukturës dhe pajisjeve në dispozicion të qendrës.

Kjo qendër veç destinacionit rehabilitues të gjallesave ujore të dëmtuara në habitatin e tyre, përbën edhe një kuriozitet për vizitorët e specieve detare.

Foleja e parë e breshkave detare në Shqipëri u konfirmua zyrtarisht gjatë zbatimit të projektit në 2018-n. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com