Fëmijët e qendrave të përkujdesit social po pushojnë pranë detit këtë sezon turistik, një risi kjo që vjen për herë të parë pas shumë vitesh.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastiliu ka bërë të ditur se tridhjetë e tre fëmijë të dy Shtëpive të Fëmijëve në Shkodër po kalojnë disa ditë argëtimi pranë detit para përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Pushimet nuk kanë përfunduar për fëmijët e qendrave tona të përkujdesit social në Shtëpinë e Pushimit në Velipojë. 33 fëmijë të dy Shtëpive të Fëmijëve në Shkodër po kalojnë disa ditë argëtimi pranë detit para përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor”, -thotë Manastirliu.
Me mbështetjen e qeverisë u rijetësua Shtëpia e Pushimit në Velipojë. Gjatë periudhës korrik-gusht fëmijët e qendrave të përkujdesit social kanë mundësinë të pushojnë pranë detit, nën kujdesin maksimal të edukatoreve. /atsh