Loading...

Braçe: Zjarri në Shëngjin, kriminal

Zv.kryeministri Erion Braçe u shpreh sot se “zjarri në Shëngjin është i përsëritur në të njëjtën kurorë, i qëllimtë e për këtë arsye, kriminal”.

“Pylli me pisha e shkurre të tjera nuk është më. Për 32 orë zjarrfikës, ushtarë e punonjës të emergjencës, bën gjithçka për të mbrojtur banesat nga zjarri pranë tyre, njëherësh për të shpëtuar pyllin. Me banesat ia dolën, i mbrojtën, me pyllin jo, s’arritën. Ai që pronën e vjedhur se gëzon dot më sepse njerëzit kanë kurajo të flasin, plas deri sa t’i vërë zjarrin asaj, mos e gëzoj kurrkush!! Ai që pronë do të grabisë, plas deri sa t’i vërë zjarrin asaj, të ndërtojë aty ku zjarri e ka kthyer pyllin në truall”, tha Braçe.

Sipas tij, “kurora e Shëngjinit është shkatërruar fiks kështu, nga interesa kriminale horrash që urrejnë pyllin e se paratë i bëjnë nga betoni”.

“Për të mos folur edhe për piromanë edhe më banalë që përfitojnë kullota, më keq dru nga pemët, qymyr nga shkrumbimi për të fituar edhe kështu. E di që e qara për Amazonën është trendy, por Shëngjini dhemb edhe më shumë”, u shpreh ai.

Për shumë kohë, sipas Braçes, “në Shëngjin, detin, erën që vjen prej tij, e ndanë me pyllin, malin, me një mur 8-10-12 kate betoni”.

“Fituan para pa hesap, pa pyetur për shkatërrimin! Tek interesa të tilla nis, me këto interesa duhet luftuar, të mëdha apo banale qofshin”, tha Braçe.

Sipas tij, “nuk i duhen kërrkujt dëngla të politikanëve hipokritë që flasin për zjarrin kur për luks i kanë vënë betonin pyllit, mu në mes të tij”.

“Zjarri nuk shuhet as me hipokrizi e as me pështyma! Zjarri nuk shuhet me koordinim zjarrfikësish, kur benzina e interesave të betonit dhe çdo interesi tjetër përfitues,
e ndez dhe e përhap flakën kudo! Duhet të merremi tani me këtë “benzinë”, posaçërisht aty në vend, ndryshe as shiu që na ndihmoi dje në Shëngjin, nuk do jetë më me ne! Gjithnjë nis tek politika, vendimet e saj, që të mos arrijë më tek pylli”, tha ai./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com