Qyteti bregdetar i Sarandës çdo ditë e më shumë po ofron një mjedis të pastër për qytetarët dhe pushuesit e shumtë vendas e të huaj, falë punës së përditshme të bashkisë.
Punonjësit e bashkisë po punojnë për të mos lejuar as ndotjen më të vogël, në të gjithë territorin, megjithëse situata të pakëndshme dhe të padëshiruara e të shoqëruara me krijim të vatrave të ndotura, vënë re hera-herës gjatë këtyre ditëve që vazhdojnë të jenë të ngarkuara me pushues në Sarandë.
“Një vatër e tillë u krijua sot në një mjedis të qytetit. Fotografitë e marra në vend në dy momente, tregojnë qartazi se si vendi ishte i ngarkuar me mbetje urbane të hedhura jashtë koshave dhe si u pastrua brenda pak kohe kjo vatër e ndotur, për shkak të mospërdorimit të koshave, edhe pse ata ishin aq afër dhe bosh”, bën të ditur Bashkia, e cila ka publikuar edhe foto para dhe pas pastrimit të zonës.
Sipas Bashkisë, pushuesit që kanë zgjedhur të pushojnë në Sarandë, kanë ardhur jo vetëm për detin dhe rërën, por edhe se presin që t’u ofrojmë qytet të pastër dhe shërbime të standardit turistik, për të cilat, shprehet ajo ne mundemi t’i krijojmë.
Bashkia i bën apel çdo qytetari që të jetë më bashkëpunues, më qortues e korrigjues për këdo që shikon të sjellë ndotje me shkujdesjen e tij. /atsh