Jo vetëm festë, urime për më shumë shpresë dhe harmoni, por edhe ftesë për çdo vizitorë, turist e pelegrin për të firmosur peticionin kundër shkatërrimit të malit të Tomorit, pro mbrojtjes dhe shpalljes së tij Park Kombëtar ishin pjesë e Pelegrinazhit në malin e shenjtë të Tomorit në Berat.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm presidenti Ilir Meta, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, besimtarë bektashinj, qytetarë nga Berati dhe qytete të ndryshme të vendit.
“Pasuria e malit të Tomorit i përket të gjithëve dhe duhet mbrojtur pa kushte. Të rinjtë e Smile Albania në Berat vijuan mbledhjen e firmave edhe në ditët e pelegrinazhit në malin e Tomorit duke dëshmuar ditë pas dite interesin dhe këmbënguljen e banorëve dhe turistëve për të mbështetur mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore”-, theksoi ministri Klosi.
Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, presidenti Ilir Meta, i pranishëm në ceremoninë festive në Tomor gjithashtu firmosi peticionin e drejtuar nga të rinjtë e Smile për shpalljen e malit të Tomorit, Park Kombëtar, duke u renditur kështu publikisht tek zërat kundër shkatërrimit të Tomorit nga bizneset e guroreve, për rrjedhojë edhe kundër vendimit abuziv të gjykatës Administrative të Tiranës.
Mbledhja e firmave do të vijojë edhe në ditët në vijim, në Tomor dhe në atraksione të tjera turistike të Beratit, për t’iu drejtuar më pastaj organeve të drejtësisë, si argument i padiskutueshëm për rrëzimin e vendimit të Administratives.
Tashmë është kthyer në traditë çdo vit që në datat 20 deri në 25 gusht të zhvillohet pelegrinazhi në malin e Tomorit, për kremtimin e festës bektashiane të Abaz Aliut.
Pelegrinë të shumtë nga rrethe te ndryshme të vendit, por edhe nga Kosova, Maqedonia e vende të tjera vizitojnë malin e Tomorit në festën rituale të përvitshme. Në majën e 2379 metrave të malit të Tomorit, në Berat, gjendet një teqeja e Kulmakut, e rregulluar vitet e fundit ku besimtarët e vizitorët ndezin qirinj e bëjnë ritualet e këtij sekti fetar, për fat e mbarësi./atsh