Aktori dhe regjisori Qëndrim Rijani, lindur në Maqedoni dhe diplomuar në Tiranë, me produksione të suksesshme në Rusi, Turqi, Bosnjë, Zvicër, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e në shumë vende të tjera të botës shprehet se Shqipëria ka nevojë për një Teatër të Ri.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pasditen e së enjtes mesazhin e artistit të njohur Qëndrim Rijani, i cili shprehet se është pro teatrit të ri.
“QËNDRIM RIJANI: Një Teatër i Ri është kërkuar 38 vite me parë, të cilin ende sot nuk e kemi. Besoj shumë që Shqipëria dhe të gjithë ne shqiptarët, që vazhdimisht sytë i kemi tek ai Teatër Kombëtar dhe vazhdojmë ta konsiderojmë një projekt në Teatrin Kombëtar si arritjen më të madhe tonën ndër Shqiptari, ka dhe kemi nevojë për një Teatër të Ri. Teatri Kombëtar ka nevojë që të vazhdojë të ketë në pronësi çdo pëllëmbë të tokës të cilën posedon sot. Dhe Teatri i Ri Kombëtar do të ketë nevojë për aktorë, regjisorë, skenografë, kostumografë, kompozitorë, etj… të cilët do të arrijnë të shfrytëzojnë dhe menaxhojnë të gjitha mundësitë, që do ofrojë një teatër dinjitoz dhe vazhdimisht do të ofrojnë produkte artistike dinjitoze, pa u fshehur pas formulës së famshme: “Mungesa e kushteve bëri që mos arrijmë të gjitha qëllimet””, – citon Kryeministri i vendit, Qëndrim Rijanin.
Regjisori Qëndrim Rijani është aktualisht pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë ku ligjëron lëndën e Mjeshtrisë së Aktorit dhe në Universitetin e Tetovës ku ligjëron lëndën e Regjisë së Teatrit. /atsh