Loading...

75-vjetori i krijimit të Brigadës XVI, Ruçi: Ushtria partizane, legjion nderi i kombit

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u dërgoi një mesazh përshëndetjeje ish-partizanëve, veteranëve, pasardhësve dhe familjeve të dëshmorëve të Brigadës XVI Sulmuese, në 75-vjetorin e krijimit të Brigadës XVI të Ushtrisë së lavdishme të partizanëve shqiptarë.

Ushtria partizane ishte një legjion nderi i kombit shqiptar, tha Ruçi duke shtuar se, “Brigada XVI mund të quhet ndryshe edhe Brigada partizane e rinisë”.

“Ky formacion i fuqishëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare vërtet u përurua më 20 gusht, por pagëzimin e zjarrit të betejave e fitoreve partizanët e Brigadës suaj e kishin bërë gjatë viteve të luftës për liri. Ndër 560 partizanet e partizanët e saj, më shumë se 85% ishin në moshë të re, 15-30 vjeçarë dhe rreth 70 prej tyre ishin vajza”, tha Ruçi.

Sipas tij, “Brigada XVI luftoi kryesisht në trekëndëshin Berat Lushnje-Fier dhe e shndërroi Myzeqenë në një arenë betejash të përgjakshme kundër nazistëve dhe kolaboracionistëve”.

“Brigada XVI luftoi me një ushtri armike të mirë pajisur me armatimet më të rënda dhe bandat e bashkëpunëtorëve vendas në mbështetje të tyre. Brigada XVI ngriti në altarin e lirisë 56 vajza e djem të bukur e trima, shumica e të cilëve ranë dëshmorë në lulen e rinisë”, tha ai.

Në 75-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, Ruçi tha se “është viti të rikujtojmë se çlirimi i atdheut është rezultat i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të partizanëve shqiptarë, të organizuar në Ushtrinë Nacional-Çlirimtare”.

“Është viti të rikujtojmë se në rreth gjashtë vjet u ndeshën në beteja të përgjakshme dy ushtri të pabarabarta. Unë shpreh respektin dhe mbështetjen time të fuqishme për Organizatën e Veteranëve të LANÇ dhe Organizatën Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e Tjerë të Atdheut në misionin dhe kontributin e tyre për të mbrojtuar, lartësuar e ndriçuar të vërtetat e pakundërshtueshme të LANÇ ndaj çdo përpjekje për t’i mohuar apo errësuar ato”, shtoi ai.

Fitorja e LANÇ dhe çlirimi i Shqipërisë janë vulosur me 68 muaj luftë dhe sakrificat e 70 mijë luftëtarëve dhe 28 mijë dëshmorëve.

Si Kryetar i Kuvendit, Ruçi u shpreh krenar që gjatë kësaj legjislature miratuam ligjin e ri “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, i cili këtë vit ka hyrë në fuqi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com