Falë një organizimi të mirë detajuar nga bashkia, “Festa e Birrës” ka shndërruar Korçën në hapësirën masive të shesheve të tejmbushura, hoteleve, hosteleve e guest house-ve të gjitha të prenotuara nga të gjitha qytetet shqiptare e me shqiptarë nga gjithë bota, turistë e pushues të huaj dhe vizitorë nga vende të tjera.
Kështu u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i cili ka thënë se ajo që po ndodh është shndërrimi i një feste lokale në një traditë që sjell më shumë turistë në këtë qytet.
“Megjithëse mes – gusht, falë një organizimi të mirë detajuar nga bashkia, “Festa e Birrës” ka shndërruar Korçën në hapësirën masive shesheve tejmbushura, hoteleve, hosteleve e guest house-ve të gjitha të prenotuara nga të gjitha qytetet shqiptare e me shqiptarë nga gjithë bota, turistë e pushues të huaj, vizitorë e konsumatorë të festave nga vende të tjera. Për gati një javë shijohet birra dhe po aq festa, e vërtetë po aq sa Hashtagu i këtij këtij viti: Është festa e birrës. Nuk mund të mungosh”, ka thënë Klosi.
Ai ka theksuar se “mrekullia që po ndodh këto ditë në Korçë, nuk është as më shumë e as më pak: pikërisht shndërrimi i traditës në festë dhe i festës në traditë! “Birra Korça” me historikun e prodhimit prej 1928-ës si birra e parë shqiptare, si produkt i konsoliduar në tregun vendas e përtej, është pika e e fortë ku mbështetet kjo feste tashmë e shndërruar ne traditë e që rritet vit pas viti”.
Sipas ministrit, shndërrimi i kësaj feste në traditë është përpjekje që do të shtrihet në çdo qytet.
I cilësuar si eventi më i madh festiv në vend, Festa e Birrës mbledh çdo vit mijëra njerëz për të shijuar aromën e mrekullueshme të birrës së freskët.
Korça mund të konsiderohet një nga shembujt më domethënës të qyteteve shqiptare që shfrytëzojnë turizmin vjetor, kryesisht atë malor dhe kulturor. Me kapacitete të shtuara akomoduese dhe rritje të investimeve të brendshme, ky qytet po tenton që të tërheqë edhe më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj./atsh