Shërbime më të shpejta me standarde europiane garantohen tashmë për qytetarët që duan të pajisen me Leje Drejtimi.
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje faktin se nga 15 gushti 2019, kartoni i ri i Lejeve të Drejtimit lëshohet në vetëm 30 minuta.
“Mirëmëngjes dhe me këtë tjetër hap përpara në përpjekjen e pandalshme për shërbime më të shpejta e me standarde europiane për qytetarët, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Risia nis me Tiranën që ka 45% të numrit total të lejeve të drejtimit në vend, ose janë 48 mijë qytetarë përfitojnë çdo vit.
Në sajë të masave të marra shpejtohen 7 shërbime: Leje Drejtimi për herë të parë; humbje/vjedhje/shkatërrim/ dëmtim Leje Drejtimi; konvertim Leje Drejtimi; Leje Drejtimi për shtesë kategorie; ndryshim vendbanimi; ndryshim në gjeneralitete; rinovim Leje Drejtimi.
Po ashtu, rritet shpejtësia e shërbimit 720 herë. Në nëntor 2018 Leja e Drejtimit merrej për 15 ditë, ndërsa në gusht 2019 merret për 30 minuta, pa tarifë ekstra, më shpejt, më lehtë dhe më lirë./atsh