Aktorja e njohur e skenës shqiptare, Suela Konjari ftoi sot të gjithë kolegët artistë dhe specialistët që t’i tejkalojnë bindjet partiake, pasi Teatri është mbi partitë.
Për çështjen e Teatrit Kombëtar, ajo tha se “shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë njëri-tjetrin”.
“Kur mbaron një shfaqje teatri, melodia e parë që vjen për aktorin në skenë janë duartrokitjet e publikut. Me këtë dua të them, ju ftoj të gjithëve, veten time të parën, ju dhe gjithë kolegët e mi, edhe specialistët, që t’i tejkalojnë bindjet partiake, teatri është mbi partitë. Shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë njëri-tjetrin. Teatri na jep mundësinë që ta duam njëri-tjetrin dhe ta besojmë. Shpresoj që të arrijmë më të mirën e mundshme”, tha ajo.
Duke ndarë këtë opinion të Konjarit, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Suela Konjari i përket gjeneratës që doli në skenë në vitet e vështira të ndryshimit të sistemeve dhe spikati me rolet e saj përpara publikut të Teatrit Kombëtar”.
Në çështjen e shumëdebatuar të godinës së teatrit, Rama tha se “ajo ndan të njëjtin opinion me shumicën dërrmuese të komunitetit teatror”./atsh