Krahas projekteve strategjike në infrastrukturën rrugore, aeroporte, porte etj, po investohet edhe në ekonomitë lokale.
Në kuadër të projektit për Zhvillimin e Turizmit dhe Integrimin Urban që po zbatohet me mbështetjen e Bankës Botërore, në katër bashki të vendit Berat, Përmet, Sarandë e Gjirokastër, ka nisur konsulenca mes ekspertëve për përmirësimin e zonave turistike në Zvërnec-Nartë dhe banjat termale në Bënjë.
Zvërnec- Nartë, është padyshim një prej zonave më të bukura përgjatë bregdetit Shqiptar të Adriatikut. Në një sipërfaqe prej rreth 20 000 ha ndërthuret një larmishmëri e gjerë habitatesh me një diversitet të lartë biologjik, çka e shtyu qeverinë shqiptare në vitin 2004 t’i japë statusin peisazh i mbrojtur kësaj zone.
Ndërsa banjat termale të Bënjës, 14 km larg qytetit te Përmetit ka ujëra me baze sulfurore që kanë efekte shumë të larta kuruese.Këto burime u shfrytëzuan nga shteti në vitet 1964-1975 dhe aktualisht shfrytëzohen në mënyre të pa-organizuar nga banorë dhe vizitorë të ndryshëm të cilët zgjedhin për të pushuar pranë tyre.
Konsulentët për kërkimin e tregut në këto zona synojnë finalizimin ideve të integruara për zhvillimin e një produkti turizmi të qëndrueshëm.
Objektiv është përmirësimi i infrastrukturës urbane, rritja e aseteve turistike dhe forcimi i kapaciteteve për zhvillimin e ekonomive lokale të lidhura me turizmin në këto zona të përzgjedhura perla të jugut të Shqipërisë.
Ky projekt ka në total katër komponentë; Përmirësimin e infrastrukturës dhe pjesës urbane; përmirësimin e zonave turistike; zhvillimin e një produkti dhe tregu të turizmit dhe komponenti i katërt lidhet me mbështetjen e zbatimit të këtyre komponentëve./atsh